Ndërpritet komunikimi i Thethit me Shkodrën, turizmi dimëror drejt dështimit

Nuk ka zgjatur shumë komunikimi i Thethit me Shkodrën. Rruga në drejtim të këtij fshati turistik është bllokuar sërish nga Qafa e Thores për në brendësi të tij. Pamjet që vijnë nga kjo zonë tregojnë situatën që kanë krijuar reshjet e dëborës atje.

Firma e kontraktuar për hapjen e këtij aksi nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, po përballet me vështirësi të shumta dhe e ka të pamundur të çajë trashësinë e dëborës që ka veshur rrugën e re.

As investimi i kryer nga qeveria shqiptare nuk e shpëtoi këtë zonë turistike nga historia e bllokimit në stinën e dimrit, duke bërë që edhe për këtë sezon turizmi dimëror të shkojë drejt dështimit.

Turistët që më së shumti janë të huaj, të cilët marrin përsipër sfidën për të vizituar Thethin gjatë dimrit, duhet sërish të ecin në këmbë, pasi në të kundërt është i pamundur komunikimi.

Por rreziku mbetet i lartë pasi orteqet që bien mbi rrugë mund të rezultojnë fatale për jetën e tyre.

Tashmë do të mbetet për tu parë nëse firma e kontraktuar do ta fitojë “betejën” me dëborën dhe ta hapë rrugën, por momentalisht Thethi mbetet “mollë e ndaluar” dhe në këtë pikë bujtinat atje janë të detyruara të anulojnë rezervimet.

Paradoksale kjo situatë, në një kohë kur turizmi malor në shumë shtete të rajonit shihet si një pikë e fortë për ekonominë lokale dhe promovimin turistik të vendit, ndërsa në Shqipëri debora bëhet shkaktare që rrugët të bllokohen e fshatrat të mos kenë energji, si në rastin e Lepushës që ka mbi 2 javë pa energji.