Kryqi i Kuq sensibilizohet nga kronika e Ora News, i rikthen buzëqeshjen familjes Abillari
Pas thirrjes për ndihmë të familjes së Maliq Abillarit, Kryqi i Kuq është sensibilizuar duke ofruar ndihmë me produktet e nevojshme të jetesës. Dora e shtrirë për ndihmë e mbështetje duket se ka sjellë buzëqeshje në familjen me shtatë anëtarë të 62-vjeçarit, i cili falenderon Ora News për vëmendjen ndaj familjeve në nevojë.
"Ju lutem shumë ne që jemi fare të këputur të na ndihmojnë!"
Kjo ishte thirrja që Maliq Abillari bëri për ndihmë pasi prej vitesh jeton në kushte të mjerueshme.
Pas kronikës së transmetuar në Ora News apelit për ndihmë iu përgjigj Kryqi i Kuq Shqiptar, duke kontribuar me batanije, artikuj ushqimorë, detergjentë etj.
"Pamë kronikën për familjen tuaj te Ora News dhe u lidha me redaksinë që më dhanë numrin tënd. Fola pak me familjen për të ditur se te cili program mund ta përfshijmë".
Dora e shtrirë e ndihmës pas thirrjes së tij për mbështetje duket se e ka lumturuar pa masë babain e tre fëmijëve.
62-vjeçari Abillari falenderon Ora News që sensibilizoi opinionin për rastin e tij.
"Falenderoj televizionin Ora News që më ka qarë hallet dhe Kryqin e Kuq, Zoti ju dhëntë shëndet!"
Misioni jonë është që të bëjmë sado pak njerëzit që të buzëqeshin.
Ora News prej vitesh tashmë është pranë çdo familje që është në kushte të vështira ekonomike, duke përcjellë shqetësimet e tyre dhe thirrjen për ndihmë.
