Vlorë: Atentat me tritol Indrit Sadedinit, mikut të Isuf Brahimaj i vrarë në 2014
Një atentat me tritol është regjistruar pasditen e 19 dhjetorit 2021 në Lungomare të Vlorës.
Si pasojë e shpërthimit të fortë pranë një pallati ka mbetur i plagosur, Indrit Sadedini.
Nga shpërthimi i fuqishëm, Satedini ka pësuar dëmtime të shumta në këmbë dhe pjesë të ndryshme të trupit.
33 vjeçari është transportuar drejt spitalit të Vlorës për mjekim.
"Më datë 19.12.2021, rreth orës 15:10, në lagjen "10 Korriku", jashtë një pallati ka shpërthyer në rrethana ende te paqarta një sasi lënde, dyshohet eksplozive e për pasojë është dëmtuar shtetasi I.S., i cili ndodhet në gjendje të rëndë", thuhet në njoftimin paraprak të policisë.
Pas shpërthimit të tritolit, ka pasur dhe një përplasje makinash dhe besohet se mund të kenë lidhje me ngjarjen.
Sherbimet e policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe po punohet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Sadedini, ishte shoqëruar disa herë në polici ku është marrë në pyetje për disa ngjarje të rënda dhe më pas është lënë serish i lirë.
Ai ishte duke ecur në trotuarin e pallatit ku banon, kur një sasi e konsiderueshme tritoli që ishte vendosur në hyrje të garazhit të pallatit dhe mbuluar me kartona, ka shpërthyer.

