Holanda futet në izolim gjatë Krishtlindjeve për shkak të Omicronit
Varianti Omikron po bëhet dominues në vendet e Evropës, pasi në prag të festave të fundvitit shumë vende po ndërmarrin masa kufizuese, madje të ashpra. Holanda ka mbyllur baret e restorantet deri në mesin e janarit, Austria e Greqia nuk do të lejojë hyrjen pa test negativ.
Holanda ka mbyllur dyqanet jothelbësore, shkollat, baret, restorantet dhe objektet e tjera publike, të paktën deri në mesin e muajit janar.
Masat e reja kanë ardhur si pasojë e rritjes së rasteve të reja me variantin Omikron.
Rregullat e reja do të hyjnë në fuqi të dielën, ku qeveria synon të parandalojë përhapjen e variantit afrikano jugor gjatë Krishtlindjes.
Këto janë masat më të rrepta që janë ndërmarrë si pasojë e variantin Omikron.
“Holanda edhe një herë po mbyllet", tha Rutte gjatë një konference për media.
Ekspertët thonë se Omicroni pritet të bëhet variant dominues në Holandë gjatë periudhës ndërmjet Krishtlindjes dhe Vitit të Ri.
Për javë të tëra ka pasur masa të kufizimit të lëvizjes dhe mbylljen e objekteve kulturore me qëllim që të frenohet përhapja e variantit të ri.
Prej fillimit të pandemisë, Instituti Kombëtar për Shëndetësi Publike në Holandë ka raportuar për mbi 2.9 milionë raste me koronavirus dhe mbi 20,000 vdekje.
Nga ana tjetër edhe Gjermania ka vendosur të kufizojë udhëtimet që vijnë nga Britania e Madhe, si pasojë e rritjes së lartë të rasteve të reja në Mbretërinë e Bashkuar.
Më herët, ndalimin e udhëtimeve me Britaninë e Madhe e ndërmori edhe Franca.
Po ashtu Austria ka vendosur masa kufizuese për të hyrë në vend.
Në Austri do të hyjnë vetëm personat e vaksinuar me të tria dozat, ata që kanë marrë vetëm dy, do duhet të paraqesin testin PCR negativ, ndërsa të pavaksinuarit duhet të hyjnë në karantinë shtatëditore.
Edhe Greqia vendosi masa për personat që hyjnë në vend, ku nga e hëna askush nuk do të hyjë pa paraqitur testin PCR negativ.
Danimarka, nga ana tjetër ka mbyllur kinematë, teatrot dhe sallat e koncerteve, si pasojë e rritjes së rasteve të reja.
