Itali/ 83 raste me Omicron, Draghi: Jemi të përgatitur për përkeqësimin e situatës

Rastet totale me variantin Omicron të koronavirusit deri më sot në Itali, arrijnë në 83 , siç njofton Instituti i Lartë i Shëndetësisë në vend.

Mëngjesin e djeshëm ishin 55. Rastet më të shumta u zbuluan në zonat e Milanos dhe Napolit.

"Ky variant është një rrezik i ri," tha ministri italian i Shëndetësisë Roberto Speranza.

Presidenti i Institutit të Lartë të Shëndetësisë, Silvio Bruzafero , shtoi se “në ditët në vijim është e mundur që të regjistrohet një rritje e mëtejshme e rasteve pozitive”.

Kryeministri italian Mario Draghi po planifikon  të mbledhë një kabinet të enjten e ardhshme më 23 dhjetor, për të vlerësuar situatën e përgjithshme dhe për të marrë çdo masë të re parandaluese dhe mbrojtëse.

“Marrja e çdo mase do të sjellë rezultate vetëm pas dy, tri javësh. Presioni do të rritet fillimisht në spitale dhe më pas kryesisht në repartet e terapisë intensive. Presim një përkeqësim të rëndë të situatës, por jemi të përgatitur”, nënvizon Shoqata e Anesteziologëve Italianë.