Paralajmërimi i kryeministrit francez: Omicron po përhapet me shpejtësi rrufeje në Europë

Në një kohë që varianti i ri i koronavirusit Omicron po përhapet në të gjithë Europën, kryeministri francez ka paralajmëruar qytetarët për rrezikun, duke e konsideruar variantin e ri si dominues në vijim për francezët. Franca ka vendosur kufizime të rrepta për udhëtarët britanikë ashtu sikunder edhe vende të tjera në Europë.

“Varianti Omicron është duke u përhapur me shpejtësinë e rrufesë në Europë dhe ka gjasa të jetë dominues në Francë”.

Ka qenë ky paralajmërimi i kryeministrit francez, Jean Castex, i cili ka folur për situatën në vend disa orë përpara se Franca t’u vendoste kufizime të rrepta udhëtarëve nga Britania e Madhe.

Mbretëria e Bashkuar deri më tani është prekur më së shumti në rajon, me rreth 15.000 raste të konfirmuara me Omicron të premten.

Castex tha se qeveria do të marrë hapa të tjera për luftimin e ngurrimit për t’u vaksinuar, duke thënë se “nuk është e pranueshme që refuzimi i disa miliona francezëve për t’u vaksinuar ta vërë në rrezik jetën e tërë vendit”.

Kufizime shtesë u vendosën në Gjermani, Holandë e Irlandë të premten, pasi qeveritë po përpiqet që ta luftojnë rritjen e numrit të rasteve.

Ministri gjerman i Shëndetësisë, Karl Kauterbach, tha para gazetarëve se vendi “duhet të përgatitet për një sfidë që ende nuk e kemi pasur në këtë formë”, ndërsa agjencia gjermane e shëndetit publik i cilësoi Francën, Norvegjinë dhe Danimarkën si vende me rrezik të lartë.

Paralajmërimet erdhën në kohën kur Britania e Madhe regjistroi rekord të infeksioneve për ditën e tretë radhazi – mbi 93.000 për 24 orë – kryesisht të shkaktuara nga varianti Omicron.

Vende të tjera si Italia, Greqia dhe Portugalia kanë lajmëruar se udhëtarët europianë duhet të paraqesin test negativ në vend arritjet e tyre edhe pse janë të vaksinuar.