Rusët i shtrijnë dorën Amerikës/ Negociata për të ulur tensionet në Evropë dhe Ukrainë

Rusët i kanë parashtruar amerikanëve kërkesat e tyre për të ulur tensionet në kufijtë e Europës dhe krizës në Ukrainë.

Marrëdhëniet e Rusisë me Shtetet e Bashkuara nuk kanë arritur ende pikën e tyre më të ulët dhe propozimet e sigurisë që ka bërë Moska mund të ndihmojnë në zbutjen e tensioneve, tha të shtunën zëvendësministri i Jashtëm rus Sergei Ryabkov.

Rusët kërkojnë garanci ligjërisht të detyrueshme që NATO do të heq dorë nga çdo aktivitet ushtarak në Evropën Lindore dhe Ukrainë.

Ministria e Jashtme ruse paraqiti dy propozimet e saj - një projekt-marrëveshje me vendet e NATO-s dhe një projekt-traktat me Shtetet e Bashkuara.

Kërkesat përmbajnë elementë të tillë si një veto ruse për anëtarësimin e Ukrainës në NATO,  heqjen e armëve bërthamore të SHBA nga Evropa dhe tërheqjen e batalioneve shumëkombëshe të NATO - s nga Polonia dhe shtetet baltike - Estoni, Letoni dhe Lituani.

Këshilltari për sigurinë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, tha të premten se Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura për dialog me Rusinë mbi kërkesat e saj të sigurisë dhe do të paraqesin arsyetimet e veta.

Po nga administrate amerikane, Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha se Uashingtoni do të bisedojë me aleatët. 

"Ne nuk do t’i kompromentojmë parimet kryesore mbi të cilat është ndërtuar siguria evropiane" tha ajo. Ndërkohë, diplomatë të NATO-s i thane agjencisë “Reuters” se Rusia nuk mund të ketë të drejtën e vetos për zgjerimin e mëtejshëm të aleancës dhe NATO vendos vetë  për qëndrimin e saj ushtarak.

Shqetësim për amerikanët mbetet Ukraina. Rusia ka zhvendosur më shumë se 90,000 trupa pranë kufirit ukrainas dhe mund të jetë gati për ta pushtuar, gjë që Moska e mohon.