Nuklearizimi i Evropës Lindore/ Bjellorusia: Armë bërthamore ruse nëse NATO ja jep Polonisë

Ministri i Jashtëm bjellorus ka përsëritur kërkesën që Rusia të vendosë armë bërthamore në territorin e vendit të tij. Kjo, sipas kryediplomatit Makei, vjen nëse NATO do ta bëjë një gjë të tillë me Poloninë.

"Ajo që ka thënë presidenti Aleksandër Lukashenko - se ne po shqyrtojmë mundësinë e vendosjes së armëve bërthamore në territorin Bjellorusi është një nga përgjigjet e mundshme ndaj veprimeve që mund të ndërmarrë në të ardhmen Aleanca Ushtarake e Atlantikut të Veriut në territorin e Polonisë," tha Makei.

Do të ishte një deklaratë e kreut të NATO-s, Jens Stoltenberg, në fillim të dhjetorit, se Aleanca do të duhet të konsiderojë zhvendosjen e armëve bërthamore në lindje nëse qeveria e re gjermane ndryshon politikën e vendit për armatimin bërthamor.

Menjëherë pas kësaj deklarate reagoi kryediplomati rus Lavrov që paralajmëroi NATO-n kundër ridislokimit të armëve atomike të SHBA-së në Evropën Lindore, duke thënë se një veprim i tillë do të ishte i papërgjegjshëm dhe provokues.

Marrëdhëniet mes Rusisë dhe NATO-s janë në nivelet më të ulëta të pas Luftës së Ftohtë. Tensionet janë përshkallëzuar muajt e fundit teksa Ukraina i druhet një pushtimi rus, ku mbi 100 mijë ushtarë rusë janë zhvendosur në kufi me Ukrainën.