Librat që duhet të lexojmë në fundvit

Gjatë muajit dhjetor dhe konkretisht kur festat afrojnë tashmë është kthyer në traditë që njerëzit, përveçse dëshirojnë të shohin filma, një rëndësi tepër të veçantë ata po i kushtojnë edhe leximit të librave. 

Për të folur më shumë rreth kësaj teme dhe se cilat libra dhe autorë preferohen të lexohen në fundvit në studion e emisionit “Jeto me Orën” në RTV Ora ishin të ftuar Helena Halilaj-pedagoge, Jonida Hitoveizi-gazetare, Akistula Pula- studente inxhiniere mekatronike e apasionuar pas librave.

Për Jonidën të lexuarit nuk është një proces me sezone apo, e ndarë sipas stinëve, por për atë është një proces i gjatë dhe në vijimësi.

“Nuk jam dakord me diferencimin e leximit të librit, siç thonë disa këto libra preferohen në verë, apo të tjerë në stinën e dimrit. Një lexues i mirë, lexon në çdo kohë dhe në vazhdimësi. Librat janë gjërat më me vlerë në këtë botë, ndaj duhet të lexohen në vijimësi”, u shpreh Jonida Hitoveizi.

Ajo listoi një sërë romanesh dhe autorë mjaftë të njohur si të huaj dhe shqiptarë, si të preferuar për t’u lexuar gjatë muajit dhjetor, ndërsa theksoi se autorët shqiptarë nuk duhet të lihen në harresë.

“Ka pafund autore që janë të lexueshëm nga njerëzit, por do të thoja që autorët shqiptarë si Kadareja apo të tjerë nuk duhen lënë në harresë. Për shembull, unë muajin dhjetor e nisa duke lexuar romanin “Një mijë e një netë”, më saktë ky është rilexim, pasi e kam lexuar edhe një herë. sugjeroja një mijë e një netë, që për mua është një rilexim në këtë muaj dhjetor, po ashtu do të sugjeroja edhe përrallat “Arabe”, të cilat janë të preferuara në këto kohë festive”, tha ndër të tjera Jonida.

Ndërkohë, pedagogia Helena Halilaj u shpreh në studio se të dhurosh një libër është përgjegjësi në radhë të parë për dhuruesin, e më pas edhe për marrësin. Ku theksoi se një lexues i mirë nuk është aty rastësisht, por sipas saj duhet të investojmë tek vetja si individë në këtë drejtim.

“Libri është përgjegjësi për atë qe e bënë dhuratë, por dhe ai/ajo, që e pranon. Unë u them gjithmonë studentëve të mi, që libri është një stimul. Gjatë periudhës së pandemisë kemi parë shumë bibloteka, por kemi njërëz të paditur. Ndaj libri është krijimi i një individi, nuk mund të jesh rastësisht një lexues i mirë, por duhet vijimësi të arrish aty”, u shpreh pedagoiga Helena Halilaj.

Përsa i përket pyetjes së moderators Ana Kallaku, se cilat libra preferohen në këtë fundvit, Halilaj u ndal tek poezia e vjetër, si dhe përmendi autorët si Bukofski, Rumi, etj.

“Unë jam shumë e dhënë pas leximit të poezive të vjetra. Por, ndër autorët që do përmendja janë padyshim librat e autorit Bukofski, autorit Rumi, si dhe “Antrapologjia e frymës”, tha ndër të tjera ajo.

Së fundmi, studentja dhe e apasionuari pas librave Akustila Pula u shpreh se “të sugjeruarit e  librave, së pari duhet të njohësh lexuesin ose të kesh disa të dhëna për individin”.