"Mbrëmë u ngroha me batanije", Kurti tregon si po e kalon dimrin në krizë energjie
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi sot se vendi është duke u përballur me krizë energjetike.
Ndërsa u pyet nga gazetarët se me çfarë po ngrohet në shtëpi ai tha me batanije.
“Pjesën më të madhe të kohës po më bie të rri ose në makinë duke udhëtuar prej një vendi në një vend tjetër ose në kryeministri, ku kemi një sistem të përgjithshëm të ngrohjes për komplet objektin, e mbrëmë kur kam shkuar shumë vonë në shtëpi jam ngrohur me batanije, por shpresoj kjo pyetja juaj dhe përgjigja ime nuk do të bëjë që nesër deputeti Bekim Haxhiu ta organizojë një konferencë për media”, ka thënë Kurti.
Kurti gjatë konferencës ka kritikuar edhe qeveritë e kaluara se nuk kanë investuar por kanë vjedhur nga KEKU.
“Ishte me leverdi të vidhej nga KEKU, se sa të investohet. Ne jemi në krye të detyrës, shtetin e kemi gjetur për toke por do ta ngrisim në këmbë”, pohoi ai.
Mungesa e avullit çoi në ndërprerjen e ngrohjes për konsumatorët në Prishtinë nga ndërmarrja “Termokos”.
Sipas Korporatës Energjetike e Kosovës (KEK), kjo erdhi si pasojë e problemeve në njësinë B1 të termocentralit ‘Kosova B’.
Sipas planeve, KEK-u njoftoi se njësia B1 pritet të kthehet në prodhim të enjten, më 16 dhjetor, "kur edhe do të krijohen kushtet për furnizimin e Termokos-it me avull për ngrohje qendrore".
KEK-u po ashtu njoftoi se aktualisht në termocentralin ‘Kosova A’, gjendja është stabile, ku në punë janë të tria njësitë aktive ( A3, A4 dhe A5) që prodhojnë rreth 390 megavate në orë.
KEK-u sqaroi se po bën përpjekje maksimale për prodhim te qëndrueshëm me energji elektrike.

