Abuzimet me incineratorët, Malltezi: SPAK po na hedh hi syve, Lefter Koka nuk është “koka” e kësaj çështje
Ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka është lënë në burg, pasi akuzohet e ka marrë 3.7 mln euro në mënyrë të paligjshme nga kompania konçesionare e incineratorit të Elbasanit, fonde që kompanitë i kanë marrë në buxhetin e shtetit.
Ndërkohë në lidhje me këtë Anëtari i Kryesisë së PD-së Jamarbër Malltezi, në një intervistë për Ora Neës, me gazetaren Matilda Mcini është shprehur se Lefter Koka, nuk është ‘koka’ e kësaj afere, por Kryeministri Edi Rama.
Jamarbër Malltezi: Koka nuk është ‘koka’ e kësaj. Koka e kësaj është Edi Rama, Arben Ahmetaj, Alçi Bllako dhe gjithë me radhë. Pretendohet që në 2014 brenda të njëjtës ditë janë bërë 9 procedura. Këto 9 procedura nuk bëhen edhe sikur të donte t’i bënte vetë Lefter Koka. E gjitha kjo ishte një aferë e pastër. SPAK ka bërë minimumin e mundshëm, sepse Lefter Koka edhe vjedhjen e bëri shumë abuzive. Krijoi një kompani, dhe pa pasur një punëtor, pa blerë një kamion me zhavorr, ky thoshte sikur kishte bërë punime për 3 milionë e kusur euro. Koka është i përfshirë, por nëse marrim zinxhirin e hierarkisë Lefter Koka është diku nga mesi.
Ai thotë se Koka ka qenë i përfshirë në këtë aferë, por sipas tij abuzimet nuk i ka bërë i vetëm.
Ndër të tjera Malltezi ngre dyshime se Kokës i kanë premtuar se do ta linin të lirë nëse arrestohej, në mënyrë që të mos futej në Parlament.
Jamarbër Malltezi: SPAK të mos na hedh hi syve, sepse këtu e kemi direkt nga Edi Rama, Arben Ahmetaj, Alçi Bllako etj. Koka ka qenë instrument shumë i rëndësishëm, pa të nuk u bënte e gjitha kjo, por nuk ka qenë kyçi. Edi Rama përpiqet që të bëjë Kokën kurban. Koka u dorëhoq nga mandati i deputetit, mesa duket i premtuan se do ta linin të lirë nëse nuk do hynte në parlament.
Ka pasur shumë fjalë në Durrës që Koka përdorte miliona lekë për blerje votash. Nëse SPAK do të mbyllë sytë vetëm për 3,6 milionë euro që ka vjedhur Koka, kjo s’na çon asgjëkundi. Këtu afera është mbi 400 milionë eurosh. Koka duhet të mbajë përgjegjësi për atë pjesë që ka por edhe shumë të tjerë.
