Situata në PD, Oketa: Berisha nuk u largua kurrë nga politika, ishte më aktiv se sa duhet
Ish-deputeti demokrat Gazment Oketa, ka komentuar situatën e tensionuar prej disa javësh brenda PD.
Në një intervistë për Ora News, me gazetaren Matilda Mcini, Oketa është shprehur se gjëja më e mirë që mund të bëjnë të dy palët, pra Ish-Kryeministri Sali Berisha dhe Lulzim Basha, është që t’i drejtohen Gjykatës.
Më tej thotë se përplasjet që janë krijuar PD ndikojnë dhe te opinioni publik.
Gazment Oketa: Është gjëja më e mirë që palët t’i drejtohen Gjykatës, pavarësisht se nuk është normale që përplasjet e brendshme të një grupimi politik, që synon të ngjall shpresën jo vetëm të anëtarësisë të PD por të gjithë qytetarëve. Në termat juridik Gjykata do duhet të shprehet për të dyja kërkesat. Kjo është një çështje juridike. Çdo përplasje e tillë sigurisht jep efekte brenda anëtarësisë brenda PD, por efektin më të madh e jep te opinioni.
Ndër të tjera Oketa thotë se edhe pse ish-Kryeministri Sali Berisha dha dorëheqjen në vitin 2013 nuk është larguar asnjë herë nga politika. Ish deputeti konsideron fajtor Lulzim Bashën, pasi ky i fundit sipas tij ka qenë nën hije të Berishës.
Gazment Oketa: Berisha nuk është larguar nga politika. Ai jo vetëm që ka qenë aty, por ka qenë aktiv më tepër se sa duhej. E para duke krijuar një dualizëm. Faji është i Bashës që ka pranuar që të qëndrojë nën hijene Berishës. Por përveç Bashës, nuk ka lënë individë të tjerë që të spikasin. Dhe për fat të keq ndodhemi në këtë situatë, ku të rinj dhe të reja, në vend që të dalin një alternativë të tretë, rikthehen dhe kërkojnë një zgjidhje te Berisha. Gjykoj se në terma afatgjatë kjo situatë nuk do e ndihmoj PD. Berisha e mbylli në 2013 qeverisjen e ti, pranoi rotacionin politik.
