Shkatërroi ambientet e burgut të Reçit, kapet në Hanin e Hotit 22-vjeçari

Vihet në pranga 1 shtetas i shpallur në kërkim i kapur në Pikën e Kalimit Kufitar Hani i Hotit.

Ky person ka qenë i arrestuar me burg për disa akuza ndërsa ka qenë në burgun e Reçit në vitin 2020.  

“Nga shërbimet e Policisë Kufitare në Pikën e Kalimit Kufitar Hani i Hotit, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Shkodër, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit në kërkim V. S., 22 vjeç, banues në Shkodër. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurimit  “Arrest  në burg” për veprat penale “Shkatërrimi i pronës”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr’’ dhe “Rebelimi i të burgosurve”. Shtetasi V. S., gjatë kohës që ka qenë duke vuajtur dënimin për një vepër tjetër penale, në burgun e Reçit, në 22 mars 2020, në bashkëpunim me disa të burgosur të tjerë, ka shkatërruar me zjarr ambientet e dhomave të burgimit dhe ka kundërshtuar punonjësit e burgut gjatë kryerjes së detyrës.” – bën me dije policia.

Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër.