Vasili: SPAK, boll priti urdhrin e qeverisë për të lëvizur. I ka dosjet në tavolinë. Të veprojë
Nënkryetari LSI, Petrit Vasili e ka konsideruar të vonuar arrestimin e ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, nga SPAK.
Në një intervistë për Ora News, Vasili është shprehur se Koka është vetëm një nga të arrestuarit që janë përfshirë në aferën korruptive, pasi sipas tij ka dhe shumë të tjerë.
Ai ka ngritur pikëpyetje se kush e pengoi SPAK të vepronte ndërkohë që kallëzimet ishin bërë.
Petrit Vasili: kam konsideruar të vonuar të gjithë qëndrimin e SPAK ndaj të gjithë grupit të strukturuar kriminal. Pra jo thjesht dhe vetëm të një individi të shkëputur siç ishte veprimi I djeshëm, por të tërë këtij grupi, që fillon me nivelin kryeministror, ministror, nivelin bashkiak, dhe nivelin e zyrtarëve të lartë të administratës publike të përfshirë në këtë aferë. Çfarë regjie e pengoi SPAK që të mos vepronte në mënyrë të rrufeshme ndërkohë që në tavolinë ishte dosje të plota.
Kjo vonesë ka qenë një vonesë e rëndë fajtore për SPAK, pasi personazhet, mes të cilëve dhe Koka, ishin persona që u përfshin gjerësisht në fushatën elektorale, shpenzuan miliona, rrëmbyen mandate, dhe në këtë mënyrë zgjedhjet u masakruan dhe u vodhën.
Vasili ndër të tjera shprehet se SPAK duhet të thellojë hetimin ndërsa ka shtua se kjo Prokurori nuk duhet të veprojë me urdhër të qeverisë.
Petrit Vasili: Kemi bërë tre denoncime të mëdha që ndodhen në zyrën e SPAK, për incineratorin e Tiranës, të Elbasanit dhe të Fierit. Denoncimet janë me emra të përveçëm. SPAK ka për detyrë të thellojë dhe më tej hetimin. Denoncimet janë për Eid Ramën, Veliajn, ministrat e tij, Armando Subashin në Fier, dhe plot fakte pa fund. SPAK, boll priti urdhrin e qeverisë për të lëvizur, por të lëviz vet.

