PD "ia plas" në sy Kushit skandalin me diplomat dhe gradat: 146 programe studimore në universitete të paakredituara

 “Në Shqipëri jepen diploma dhe grada shkencore që nuk njihen ligjërisht”. Opozita denoncoi faktin se 146 programe studimore nuk janë të akredituara, por Ministrja e Arsimit e hodhi poshtë një akuzë të tillë.

146 programe studimore në universitetet shqiptare nuk janë të akredituara. Ky denoncim i opozitës ka shkaktuar debate të forta gjatë seancës dëgjimore me Ministren e Arsimit Evis Kushi. 

Deputetja demokrate, Eralda Bano, u shpreh se ky është një rast i cili duhet t’i kalojë SPAK-ut, pasi në mënyrë të paligjshme për vitet 2018-2021 janë lëshuar diploma ose grada shkencore të paakredituara, të cilat nga ana ligjore nuk njihen.

"Ka ardhur koha që SPAK të mos heshtë por të vlerësojë këtë shpërdorim detyre të paprecedent."

Rritja e pagës së pedagogëve u shtrua si kërkesë e shumë prej deputetëve dhe Ministrja vlerësoi se do ta marrë në konsideratë këtë kërkese, por nuk dha një premtim të tillë për uljen e tarifave të universiteteve, të cilat mbeten shqetësim për studentët.

Sipas saj pagesat janë më të ultat në rajon dhe studentët kanë përkrahje dhe bursa.

"Jemi ndër vendet që e kanë tarifën e studeimeve më të ulëta, studentët ekselentë me mesatare mbi 9 por edhe studentët që vijnë nga familje me vështirësi ekonomike i kanë tarifat zero, ndërkohë marrin dhe bursë."

Sipas deputetes demokrate,Ina Zhupa, fillimi i vitit të ri akademik ishte problematik dhe i keqmenaxhuar.

20 mijë studentë më pak janë regjistruar këtë vit në universitet, fakt ky që dëshmon rënien e cilësisë në universitete. 

"Fillimi i vitit të ri akademik ishte një amulli e madhe dhe një shembull sesi nuk duhet të nisë në asnjë vend të botës, edhe në vendet e pazhvilluara, një vit akademik. Një keqmenaxhim total."

Opozita kërkon gjithashtu edhe rishikim të ligjit të arsimit të lartë.