Ja pse zgjodhi Berishën, Bregu: Basha tentoi të bëhej lider unik, nuk na pyeste për asgjë

Më 11 dhjetor kuvendi i thirrur nga Sali Berisha shkarkoi Lulzim Bashën nga kryesia e PD-së.

Në një intervistë për emisionin "Ditë e Re"  në RTV Ora, përfaqësuesja e rinisë demokratike, Enada Bregu, tregon arsyet se pse zgjodhi të mbështesë Berishën dhe jo Bashën.

Sipas saj Basha nuk merrte në konsideratë mendimet e anëtarëve dhe mbështetësve të PD-së.

Enada thotë se Basha tentoi të bëhej lider unik, por nuk ia doli.

Enada Bregu: Të gjithë kemi qenë mbështetës të zotit Basha. Kam pasur fatin t'i njoh të dy nga afër, si zotin Berisha, si zotin Basha. Ndoshta zoti Berisha është idhull për shumë të rinj, është frymëzim për shumë të rinj. Nëse Basha do të kishte ndjekur hapat e zotit Berisha, ne ndoshta nuk do të ishim në këtë gjendje.

Por vendimet e tij personale ka bërë që të krijohet një thyerje. Ai e ka kthyer në diçka personale komplet partinë. Ne nuk na pyeste për asgjë dhe këtë gjë zoti Berisha nuk e ka bërë në asnjë moment.

Basha duke hequr nga partia Berishën ne të tjerët mund të mos na marrë në konsideratë fare. Tentoi të bëhej lider unik. Ne kërkojmë atë parti që ndoshta e kanë pasur prindërit tanë.

Çfarë po ndodh në PD?

11 dhjetor 2021

Kuvendi Kombëtar i thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha në “Air Albania” shkarkoi me votim të fshehtë Lulzim Bashën nga posti i kryetarit të PD-së dhe miratoi statutin e ri të PD-së.

Miratoi nen për nen statutin e ri të PD-së.

Riktheu vulën dhe simbolet e vjetra të kësaj partie, duke tentuar kështu shmangien e debatit me Lulzim Bashën për vulën e partisë.

Shkarkoi nënkryetarët, sekretarin e Përgjithshëm dhe Kryesinë.

Vendimi për shkarkimin e Lulzim Bashës do të hidhet në referendum më 18 dhjetor.

Gjithashtu u ngrit një komisioni i përkohshëm i rithemelimit të PD-së që do ta drejtojë këtë parti deri me 22 mars 2022 kur është parashikuar të mblidhet sërish Kuvendi.

Në këtë Kuvend morën pjesë 4935 kandidatë.

12 dhjetor 2021

Lulzim Basha mbledh në selinë PD krysinë partisë dhe shkarkon kryetarët e 11 degëve të PD-së

12 dhjetor 2021 Lulzim Basha mbledh Këshillin Kombëtar dhe e quan “nul” Kuvendin e mbledhur nga Berisha dhe të gjitha vendimet e dala prej saj.

Gjithashtu me votë të fshehtë Këshilli shkarkoi Edi Palokën nga posti i kryetarit të këshillit kombëtar si dhe 9 anëtarë të kryesisë së PD, që ishin të pranishëm në Kuvendin e 11 dhjetorit.

Komisioni i përkohshëm i rithemelimit dhe Berisha i quajti “nul” vendimet e marra nga Këshilli Kombëtar dhe Lulzim Basha që tashmë sipas tyre është i shkarkuar nga posti i kryetarit të PD-së.

13 dhjetor 2021

Partia Demokratike do të depozitojë në Gjykatë ndryshimet e reja statutore.

18 dhjetor 2021

Do mbahet Kuvendi i thirrur nga Lulzim Basha. Lulzim Basha dhe mbështetësit e tij kanë nisur punën përgatitore për Kuvendin e 18 dhjetorit për të cilin sekretari Bardhi ka deklaruar se ka pjesëmarrjen e 5259 delegatëve, ose 69%.