Vonesa me lëvizjet e trageteve në Durrës. Në Vlorë pezullohet lundrimi

Moti me stuhi e erë të fortë ka shkaktuar vonesa të lëvizjes së trageteve. Në portin e Durrësit, trageti “Golden Bridge” i parashikuar për t’u nisur mbrëmjen e djeshme rreth orës 23:00, ka lënë portin e Durrësit rreth orës 02:00 të kësaj të enjteje (9 dhjetor).

“Rigel III” i parashikuar po ashtu për t’u nisur në orën 23:00 nuk është nisur fare. Ndërkaq, në portin e Durrësit nuk është ankoruar ende asnjë traget që vjen nga Bari.

Burime nga kapiteneria bëjnë me dije se moti i keq në shtetin fqinj ka shkaktuar vonesa për lundrimin e trageteve të linjës Bari-Durrës.

“Rigel VII” dhe “Af Francesca” duhej të kishin mbërritur në portin e Durrësit në orën 08:00 të kësaj të enjteje, por kapiteneria bën me dije se do mund të bregëzohen në port në mesditë, rreth orës 13:00.

Edhe Kapiteneria e Vlorës nën varsi të kushteve meterologjike njofton sërish pezullimin e lundrimit detar për mjetet e vogla lundruese si dhe mjetet e peshkimit.

Eshtë  ndaluar dhënia  e  leje-nisjes  e  të  gjitha  mjeteve  të  vogla lundruese ,  anijeve të  peshkimit  që  operojnë  jashtë  Gjirit të  Vlorës dhe marjen e masave për sigurimin  e  tyre.

Për shkak te kushteve hidrometeorologjike te perkeqesuara, trageti i linjës Vlorë- Brindisi- Vlore ka mbërritur në portin e Vlorës por nuk është akostuar, qëndron në radë. Me përmisimin e kushteve hidrometeorologjike do te akostohet për të shkarkuar pasagjeret dhe automjetet.

 Përmisimi  i  situatës meteorologjike  të  përkeqësuar  në  gjirin e  Vlorës  dhe  jashtë  saj  për  mjetet  e  vogla lundruese  dhe  të peshkimit  do të  jetë  mbas  datës  09.12.2021  ora 14:00.