"PD-ja ka nevojë për një proces të madh reformimi", Kulluri: Pas Kuvendit të 11 Dhjetorit do hapet një rrugë për të ardhmen

Debati kryesor i zhvilluar në ditët e fundit është debati mes Berishës dhe Bashës. Edvin Kulluri i ftuar në studion e Ora News me gazetaren Matilda Mcini u shpreh se intensiteti i debatit mes Bashës dhe Berishës nuk ka arritur akoma maksimumin akoma. Sipas tij kjo do ndodhë në dy javët e ardhshme në varësi të zhvillimeve, nëse do ketë një përplasje juridike në dyert e Gjykatave.

Kulluri: Uroj mos ndodhë sepse do kërkojë më shumë kohë për të zgjidhur ngërçin. Mendoj që do kemi një zgjidhje të mirë për PD, mendoj që PD-ja do ta gjejë dhe po e gjen kurajën për t'u shkëputur nga e tashmja katastrofike në të cilën e ka futur lidershipi aktual i PD-së. Pas Kuvendit të 11 Dhjetorit dhe atyre që do prodhojë ai, mendoj që do hapet një rrugë për të ardhmen. Nga pikëpamja e lidershipit na duhet një pikë e tretë për arsye politike dhe historike.

Për Kullurin nuk mund të kthehemi te e shkuara, të cilën duhet ta respektojmë, por as nuk mund të vazhdojmë kështu siç jemi.

Kulluri: Unë e kam respektuar historinë e PD-së deri në vitin 2013 pasi ka qenë histori suksesi, por duhet të shikojmë përpara.

Ai u shpreh se shumica e demokratëve janë për Kuvendin e datës 11 për të larguar Lulzim Bashën dhe ekipin e tij, si përgjegjës për 4 humbje në zgjedhje, dështim pas dështimi, gënjeshtër pas gënjeshtre dhe pa asnjë mundësi për të vazhduar në të ardhmen.

Kulluri: PD-ja ka nevojë për një proces të madh jo rithemelimi, por reformimi dhe zgjedhjesh në parti për të kthyer legjitimitetin dhe besimin te vota e lirë.

Sipas tij, Berisha duhet të kishte shpallur një axhendë për Kuvendin e datës 11. Ai u shpreh se ky do jetë një Kuvend serioz, por nëse zhvillimi që do krijojë ky Kuvend nuk sjell besueshmëri dhe të krijojë të paktën një votë më shumë se Rilindja është i pavlerë. Ndërsa në datën 18, sipas Kullurit, "do të ketë një mbledhjet të vullnetarëve të Lulit."

Intervistoi Matilda Mcini, përgatiti Xhuljana Zhuleku