Banorët në Përmet në protestë kundër depozitimit të plehrave, kërkesë Kumbaros: Anulonin projektin!
Brenda 20 ditësh është shënuar protesta e dytë e banorëve të fshatit Piskovë në Përmet, kundër depozitimit të mbetjeve urbane të qytetit në territorin e këtij fshati.
Të irrituar, banorët e këtij fshati kanë kërkuar me ngulm nga ana e deputetes së zonës Mirela Kumbaro që është njëkohësisht edhe ministrja e mjedisit, anulimin e këtij projekti i cili dëmton rëndë mjedisin në këtë zonë dhe ndikon direkt në jetën e banorëve dhe të ujit të pijshëm që ata konsumojnë.
Policia e Përmetit kishte marrë masa për të shmangur incidentet e mundshme të cilat për hir të së vërtetës munguan ndonëse situata ishte e tensionuar për shkak edhe të mungesës së një dialogu mes deputetes së zonës dhe banorëve të fshatit të cilët nuk janë pyetur fare për këtë projekt.
Banorët e Piskovës, kanë kërcënuar me bllokim të aksit nacional Përmet-Këlcyrë nëse brenda pak ditësh, autoritetet vendore në Përmet, nuk do të ndërmarrin hapa konkretë për anulimin e këtij projekti që dëmton rëndë shëndetin e tyre dhe aq më keq akoma që ndërtohet në një zonë të mbrojtur siç është në luginën e lumit Lenicë degë e Vjosës.
Firma që merret me ndërtimin e kësaj vepre publike, do të implementojë në terren teknologjinë më të avancuar për dekompozimin e mbetjeve urbane dhe veç kësaj funksionimi i këtij vendgrumbullimi mbeturinash, i përgjigjet standardeve më të larta të përpunimit të mbetjeve urbane ashtu si në Evropën perëndimore.
Banorët e Piskovës, kanë paralajmëruar të enjten ndërmarrjen e veprimeve ekstreme duke nisur me bllokimin e funksionimit të aparatit të Bashkisë së Përmetit apo dhe veprime të tjera që do të ndërmerren në varësi të situatës së krijuar.
Ata betohen se plehra në Piskovë nuk do të depozitohen veçse nëse do të shkelin mbi trupat e tyre.

