Një Gjykatë Apeli dhe 12 Gjykata të shkallës së parë në të gjithë vendin, Manja pro propozimit për hartën gjyqësore
Ministria e Drejtësisë ka dhënë dakordësinë për draftin e hartës së re gjyqësore të propozuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor. Drafti parashikon një Gjykatë Apeli në të gjithë vendin nga 6 që janë aktualisht dhe 12 gjykata të shkallës së parë nga 24 që janë në funksion deri tani. Në një intervistë për Rtv Ora, ministri i Drejtësisë Ulsi Manja thotë se po diskutohen një pjesë të shqetesimeve në lidhje me draftin që kanë të bëjnë me shërbimet për qytetarët.
Harta e re gjyqësore në vend parashikon përgjysminin e numrit të gjykatave, duke ulur numrin e atyre të shkallës së parë nga 24 në 12, ndërkohë që parashikon vetëm një Gjykatë Apeli, nga 6 që janë aktualisht.
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, thotë për Rtv Ora se mbështet draftin e KLGJ-së, por i ka adresuar grupit të punës disa nga shqetësimet e ardhura nga qytetaret dhe grupet e interesit, të cilat do të pasqyrohen në draftin përfundimtar.
Manja: Parimisht kemi dhënë dakordësinë për propozimet e KLGJ, i kemi kërkuar që harta e re gjyqësore të marrë një balancë mes shërbimeve gjyqësore të qytetarëve por edhe efikasitetit të gjyqësorit.
Manja thotë se dokumenti do të konsultohet edhe me Prokurorin e Përgjithshëm, Ministrinë e Financave dhe avokatët dhe më pas drafti do ti kalojë qeverisë për miratim.
Manja: Do të ketë një draft të përbashkët të KLGJ-së dhe Ministrisë së Drejtësisë të dakordësuar që më pas do ti shkojë për mendim Ministrisë së Financave, KLP dhe Prokuroit të Përgjithshëm. Natyrisht do ti nënshtrohet dhe tryezave të konsultimit me grupet e interesit, me gjyqtarët, prokurorët por pse jo dhe me komunitetin e avokatëve në Shqipëri.
KLGJ sugjeron, që nga 24 gjykatat e rretheve gjyqësore me juridiksion të përgjithshëm, 6 gjykatat Administrative të Shkallës së Parë dhe 6 gjykatat Apeli të riorganizohen në 12 gjykata me juridiksion të përgjithshëm dhe 2 gjykata administrative në shkallë të parë dhe 1 gjykatë Apeli.

