Moti i keq “nxjerr” policinë në rrugë, Qato: Kini kujdes ne drejtimin e makinës, s'ka tolerime
Rikthimi i shiut dhe përkeqësimi i motit ka bërë që polica rrugore të marrë një sërë masash për parandalimin e aksidenteve. Në një deklaratë për mediet drejtori i Rrugores Altin Qato ka bërë të ditur edhe masat që do të merren në të tilla raste. Po ashtu ai apeloi drejtuesit në segmente problematike pasi ndaj tyre nuk do të ketë tolerime.
"Duke marrë parasysh situatën e krijuar për shkak të motit me reshje shiu, në të gjithë vendin, shërbimet e Policisë Rugore kanë rritur prezencën në të gjitha akset rrugore urbane, interurbane e rurale, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore. Në ndihmë të shërbimeve të Policisë Rrugore janë vendosur edhe Patrullat e Përgjithshme të Komisariateve të Policisë dhe forca e posaçme “Shqiponjat”, për të bërë të mundur vijimin e qarkullimit normal të mjeteve," tha Qato.
Por pavarësisht masave të shtuara, përgjatë javës dhe fundjavës, shumë drejtues mjetesh janë konstatuar në shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
"Shumica e tyre janë konstatuar nga makina inteligjente në shkelje të dyfishtë ose të trefishtë. Krahas shpejtësisë janë konstatuar edhe pa rrip sigurimi, duke përdorur celularin apo me të tria këto shkelje njëherazi," shtoi Qato.
Policia apelon ë gjithë drejtuesit e automjeteve dhe këmbësorët, që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, drejtuesit e mjeteve dhe motomjeteve të moderojnë shpejtësinë, të ruajnë distancën, të mos kryejnë parakalime të gabuara në asnjë moment, të qëndrojnë në radhë në rastet kur ka fluks të shtuar mjetesh apo ngadalësim të lëvizjes për shkak të reshjeve të dendura të shiut, të vendosin rripin e sigurimit, kaskën mbrojtëse, të mos drejtojnë mjetet nën ndikimin e alkoolit apo në gjendje të dehur, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit, pasi do përballen me sanksionet ligjore dhe administrative që parashikohen në Kodin Rrugor.
