"I pikëlluar për humbjen e mikut të madh të shqiptarëve" Meta shpreh ngushëllimet për vdekjen ish-senatorit amerikan
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të ish-senatorit amerikan, Bob Dole.
Vdekja e ish-senatorit u njoftua në një deklaratë nga Fondacioni Elizabeth Dole: "Ju njoftojmë se senatori Robert Joseph Dole vdiq sot herët në mëngjes në gjumë. Ai u ka shërbyer me besnikëri Shteteve të Bashkuara të Amerikës për 79 vjet”.
Në një postim në Facebook, Meta shkruan se Dole ka qene një nga zërat më të fuqishëm dhe më me ndikim në mbrojtje të shqiptarëve dhe kauzave të tyre.
Më tej presidenti thekson kontributin e ish-senatorit në avancimin e proceseve demokratizuese dhe euro-atlantike të Shqipërisë, si dhe për mbështetjen e hapur dhe të pakufizuar të luftës për liri dhe pavarësi, deri në krijimin e shtetit të Kosovës.
Kim: Dole, mbrojtës i egër i lirisë! Basha kujton bisedën e fundit me të
Edhe ambasadorja e SHBA, Yuri Kim ka reaguar pas ndarjes nga jeta të ish-senatorit amerikan, duke e përshkruar si një luftëtar të egër për kauzën e lirisë.
"Bob Dole ishte një patriot i vërtetë amerikan. Duke kapërcyer plagët e rënda të marra gjatë Luftës së Dytë Botërore, ai u bë një luftëtar i egër për kauzën e lirisë. Jeta e tij në shërbimin publik do të mbahet mend jo vetëm në Amerikë, por në mbarë botën, përfshirë Shqipërinë. U prehtë në paqe".
Mesazhe ngushëllimi për ikjen e tij nga jeta ka përcjellë edhe kreu i PD-së Basha, duke kujtuar bisedën e tij të fundit me të.
"Me trishtim mora lajmin për ndarjen nga jeta të Bob Dole, mik i madh i shqiptarëve, që na ka qëndruar pranë në çastet më vendimtare dhe hapat më të rëndësishëm të kombit tonë.Kam akoma të freskët bisedën e fundit me Senatorin Dole, javë përpara zgjedhjeve, këshillat, urimet dhe dëshirat e tij për Shqipërinë dhe Kosovën. Mirënjohje të përjetshme për këtë kolos të demokracisë amerikane!Lutjet dhe mendimet e mija shkojnë për familjen e Senatorit Dole, bashkëpunëtorët dhe kolegët e tij dhe kombin mik amerikan! U prehtë në paqe!


