Shtëpinë ja shemben fadromat, banori i "5 Majit" thirrje bashkisë me certifikatë në dorë: Mos i lini njerëzit rrugëve!
Në prag të festave të fundvitit, Arjan Xhafa, banor i "5 Majit", ka mbetur pa shtëpi pasi një pjesë e banesës së tij u shemb nga fadromat e Bashkisë për ti hapur rrugë rindërtimit në zonë.
"Është mundi dhe djersa ime, mezi e kam ngritur. Kam vite që punoj për këtë shtëpi, e di shpirti im si e ka ngritur, është gjynah."
Prej disa ditësh është zhvendosur diku tjetër ku bashkë me familjen po jetojnë në kushte të papërshtatshme.
"Dy herë brenda muajit më është sëmurë fëmija. Vendi është komplet lagështirë."
43-vjeçari, baba i tre fëmijë, thotë se ndihet i pafuqishëm përballë shtetit.
"Shteti duhet të vërë dorë te këta njerëz që ti rregullojë dhe sistemojë, jo ti lërë njerëzit në rrugë."
Nuk di as ku të ankohet.
"Ku do të shkoj tani me fëmijët rrugëve?"
Pesë anëtarët e familjes Xhafa jetojnë me 4800 lekë, ku shpesh herë kryefamiljari mbledh materiale të riciklueshme për të ushqyer familjen.
"Nuk më mbeten lekë për fëmijët e mi, me i çu fëmijës tim një lëpirëse 5 lekëveshe".
Ai kërkon ndihmë nga shteti që mos mbetet mes katër rrugëve, pasi edhe pse ka certifikatë e pronësisë për banesën e shembur nga bashkia e Tiranës nuk ka marrë asnjë zgjidhje.

