Berisha: PD u mor peng se Basha u implikua në afera. Blinken është keqkuptuar nga lobimet korruptive të Ramës dhe Soros
Atë që ja ndaloi Departamenti Amerikan i Shtetit Sali Berishës ja mundësoi teknologjia.
Të dielën ai takoi virtualisht komunitetin shqiptar që jeton në SHBA ku ndau me ta idetë për Partinë Demokratike të së nesërmes.
Sali Berisha iu tha shqiptarëve se lëvizja e tij është pro amerikane dhe se “non grata” u shpall për shkak të influencës së kundërshtarëve.
“E vërteta është se më 14 maj unë jam shpallur non grata nga Sekretari i Shtetit Anthony Blinken. Unë i kam kthyer letër, duke i thënë se jeni keqkuptuar nga lobimi korruptiv i Ramës dhe Sorosit.
Vetë DASH tha se burimet kishin qenë OJF-të dhe mediat e kontrolluara nga qeveria aktuale. A mund të imagjinohet se mund të dënohet një njeri, sepse shpifin kundërshtarët e tij politikë.
Jam shpallur non grata pa pasur asnjë akuzë nga askush nga asnjë individ a shtet mbi tokë, shpallet non grata, pasi partia e tij humbi zgjedhjet, për të shndërruar PD-në si satelit të qeverisë. Kjo hakmarrje sepse në pranverën e 2017 kam kërkuar shpalljen non grata të Soros, sepse Soros ka derdhur miliona euro për të shkatërruar PD-në.
Kam kërkuar që të ndalohet veprimtaria e Soros jashtë Amerikës. Qëndrimet e Soros kanë qenë antidemokratike dhe antikombëtare, siç është edhe Ballkani i Hapur, që ka marrë emrin e tij, që është rikthim i homogjenisë serbe në Ballkan”.
Lideri historik i PD-së u shpreh se Shqipëria nën drejtimin e Edi Ramës vijon të jetë në diktaturë.
Përgjegjës për gjendjen ku ndodhet vendi Berisha bëri edhe Lulzim Bashën për të cilin tha se është përfshirë në aferra korruptive.
"Edi Rama i cili shfaq trashëgiminë barbare, mizore të etërve të tij, ja doli të marrë peng opozitën.Ta shndërrojë atë në fasadë për shkak se kryetari i saj, kalon në 8 vite nga disfata në disfatë i lejoi vetes të implikohej në afera ku një njeri i ndërgjegjshëm nuk do të ja lejonte vetes. Ja sepse 11 dhjetori është rithemelimi i PD. Ky është një revolucion paqësor dhe i pandalshëm.
Dua të ju them në emrin tuaj, mjerë ata që përpiqen apo mendojnë që dalin para apo duan të ndalojnë këtë përpjekje të madhe për liri të shqiptarëve.Nuk ka asgjë që mund të mposhtë njerëzit që luftojnë për lirinë e tyre, të vendosur për çdo sakrificë dhe vendim deri në fitore të kauzës së tyre të drejtë’, u shpreh gjatë fjalës së tij me shqiptarët e Amerikës, lideri historik i demokratëve".
Organizatorët e foltores në New Jersey dhe mbështetësit e Partisë Demokratike kërkuan përfshirje më të madhe të diasporës shqiptare në politikbërje dhe proceset që do të sillnin zhvillimin e vendit.
Foltorja virtuale e Berishës me komunitetin shqiptar në Amerikë vjen pak ditë para mbërritjes në Shqipëri të zv.ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet e Evropës, Gabriel Escobar.
Burimet bëjnë me dije se zyrtari i lartë do të zhvillojë takime me kryeministrin Rama dhe kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha.
Pritet që vizita e tij të jetë para Kuvendit të 11 dhjetorit të thirrur nga Berisha, megjithatë ende nuk ka një datë të konfirmuar për takimet.

