Me 30 kg kanabis gati për shitje, 3 të arrestuar në Vlorë

Policia e Vlorës ka sekuestruar 30 kg  lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa dhe ka vënë në pranga 3 persona.

Bazuar në informacionet e marra në rrugë operative për transportin e një sasie lënde narkotike nga 3 shtetas, specialistët  e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me "Shqiponjat" dhe  Forcat e Posaçme Operacionale në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor antidrogë të koduar  "Bishani",  në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:

A.T.,34 vjeç., S.B.,29 vjeç., banues në Vlorë dhe shtetasit A.V., 34 vjeç.,banues në Bishan, Vlorë.

Shërbimet e Policisë, bazuar në informacionet e marra gjatë operacionit policor, në fshatin Bishan , bënë lokalizimin dhe bllokimin e automjetit me të cilin dyshohej se transportohej lëndë narkotike.

Nga kontrolli fizik i personave të arrestuar dhe i mjetit tip ”Ford”, në të cilin ata udhëtonin, u gjet lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa, me peshë 30 kilogramë.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua lënda narkotike.

Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.