"Berisha nuk ka inat personal", Bylykbashi: Kuvendi i 11 dhjetorit do shkarkojë Lulzim Bashën

Deputeti demokrat Oerd Bylykbashi, ka paralajmëruar se kuvendi i 18 dhjetorit do të shkarkojë Lulzim Bashën. Sipas tij, Basha me vendimet e tij të gabuara ndër vite ka dërrmuar Partinë Demokratike, duke i humbur çdo shpresë për t’u rikthyer në pushtet. Bylykbashi sjell detaje për 11 dhjetorin dhe atë çfarë pritet të ndodhë.

Oerd Bylykbashi, i rreshtuar në krah të Sali Berishës, thotë se Kuvendi i 11 dhjetorit do të shkarkoje Lulzim Bashën. Me gazetarin Everest Dedaj, deputeti demokrat thotë se vendimet e gabuara strategjike e kanë dërrmuar Partinë Demokratike duke e venë në konflikt edhe me ndërkombëtarët.

"Statuti e parashikon që kryetari i partisë shkarkohet  nga Kuvendi dhe kjo mund të ndodhë kurdo. Ky debat është tani, por mund të ndodhë dhe pas 5 vjetësh.  Nuk ka asnjë dyshim se e gjitha po projektohet drejt asaj, për një seri vendimesh që ka marrë zoti Basha përpara që na kanë çuar te 25 prilli, humbja e zgjedhjeve," tha Bylykbashi.

Oerd bylykbashi, thotë se e ka paralajmëruar Lulzim Bashën për efektin e djegies se mandateve. Ai tha se i dinte efekte e këtij vendi pasi në vitin 2008 ishte ai që kishte parashikaur në kod zgjedhor një nen kundër djegies se mandateve.

"Të detyrosh deputetët të lënë mandatet është antikushtetuese, mandati është i deputetit, është i popullit. Nuk është i kryetarit të partisë, as i partisë nuk është," tha Bylykbashi.

Beteja brenda partisë demokratike thotë ai nuk ka inat personal, por një përpjekje për të shpëtuar partinë demokratike. Sali Berishën e vlerëson si fuqi politike.

"Unë nuk gjykoj që është një histori inatesh personale. Në një politikë dhe në nivele kaq të larta inatet personale bëhen shumë të vogla," tha ai.

Krahas shkarkimit të Lulzim Bashës, në Kuvendin e 11 dhjetorit parashikohen një seri ndryshimesh statutore, mes tyre edhe kufizimi kur kryetari humbet zgjedhjet ai do të largohet. A e penalizon kjo Sali Berishën, për humbjen në 2013?

"Kryetari në detyrë do të humbasë mandatin dhe nuk do të vazhdojë," tha Bylykbashi.  

A e dëmton Oerd Bylykbashin në raport me ndërkombëtarët, fakti se ai është rreshtuar në krah të Sali Berishës, i cili është shpallur "non grata" nga SHBA?

"Unë vazhdoj të kem konfirmime nga diplomatë të lartë në Tiranë, ambasadorë të vendeve të rëndësishme për Shqipërinë të cilët konfirmojnë mbështetjen për demokratizimin e partive politike, të PD-së dhe projeksionin në të ardhmen të gjitha kësaj që po zhvillohet. Është një mbështetje e cila më ka inkurajuar mua personalisht për të vazhduar në këtë drejtim," tha Bylykbashi.