Trafikonin emigrantë ilegalë nga Korça drejt Tiranës për në BE, arrestohet një burrë dhe një grua

Dy persona janë arrestuar, pasi u kapën duke transportuar 4 emigrantë të paligjshëm nga Korça drejt Tiranës, e më pas në drejtim të Kosovës dhe me destinacion final vendet e BE-së.

Policia bën me dije se në kuadër të operacionit "COUPLE" janë proceduar penalisht dhe 4 emigranët, për kalim të paligjshëm të kufirit.

"Në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative se disa persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, me mjete të marra me qira, kryenin transportin e emigrantëve të paligjshëm, nga Korça drejt Tiranës, e më pas në drejtim të Kosovës dhe me destinacion final vendet e BE-së, organizuan dhe finalizuan operacionin “COUPLE”, për goditjen e kësaj veprimtarie kriminale", njofton Policia.

Të arrestuarit janë 41-vjeçari D.U , i dënuar më parë për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve" dhe 35-vjeçarja D.L vjeçe e dënuar më parë për veprën penale "Dhuna në familje".

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim dhe "Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.