Gjykata lë në burg të arrestuarit për vrasjen e Pashko Ujkës. Babai i Marjanit: Djali im është i pafajshëm

Gjykata e Shkodrës dha sot masën e sigurisë arrest me burg për të akuzuarit si autorë të vrasjes së Pashko Ujkës, Kristjan Kelmendi dhe Marjan Kola.

Ata dolën sot para gjykatës për tu njohur me akuzën. Sipas prokurorisë Kristjan Kelmendi është ekzekutori i ish deputetit dhe ish kryetarit të komunës Velipojë, vrasje e ndodhur më 29 nëntor 2021 në Shkodër. Ndërsa Marjan Kolën e akuzon si bashkëpunëtor.

Por babai i Marjanit thotë se djali i tij është i pafajshëm dhe është arrestuar pa prova.

"Djalin ma kanë kapur pa faj. Dua drejtësi e kam djalin të pafajshëm. Nëse ka prova ta arrestojë. Jam shumë i dëshpëruar. Djali im ka qenë në Kosovë. Më 28 dhe 29 Nëntor ka qenë në Kosovë. Ata kanë qenë shokë me njëri tjetrin" tha Dedë Kola, babai i Marjanit në një prononcim për median para gjykatës.

Ish deputeti dhe ish kryetar komune në Velipojë u vra mbrëmjen e 29 nentorit 2021 në Shkodër.

Familjarët pretendojnë se Marjan Kola ka qenë në një poligon qitjeje në Prishtinë më 29 nentor.

Dy të rinjtë u arrestuan më 30 nëntor 2021 sapo hynë në Shqipëri.

Gjykata administron provat

Gjykata e Shkodrës pas një gjyqi maratonë, vendosi që në fund të pranojë kërkesën e palës mbrojtëse që të administrohen si provë, pamjet filmike që pretendohen nga avokatet se dëshmojnë që mbrëmjen e ngjarjes, autori i dyshuar dhe bashkëpunëtori kanë qenë në Kosovë.