Protestë për mbylljen e “JOQ”, përfaqësuesit e medies: Portali u mbyll për arsye politike
Gazetarët protestuan kundër censurës ndaj medies, në dy vjetorin e mbylljes së JOQ Albania. Të mbështetur edhe nga qytetarët, përfaqësuesit e medies thanë se portali në fjalë u sulmua politikisht. Protestës iu bashkua dhe deputeti demokrat, Belind Këlliçi, i cili u shpreh se do të përçojë shqetësimet e gazetarëve në Kuvend.
Dy vite nga mbyllja e portalit JOQ Albania, gazetarët të mbështetur edhe nga qytetarë u mblodhën në një protestë paqësore përballë Parlamentit ndërkohë që zhvillohej seanca plenare.
Ata kundërshtuan censurën dhe u shprehën pro lirisë së medies.
Avokati Altin Goxhaj, tha se për mbylljen e portalit JOQ është ndjekur edhe rruga ligjore duke ngritur padi ndaj AKEP.
"Që sot fillon padia kundër AKEP, një institucion çomagë e qeverisë që ushtron censurë dhe kjo censurë çfarë ka sjellë? Ka shkatërruar një arkivë gjigante denoncimesh të qytetarëve, i ka shkrirë si në furrë me mijëra denoncime të qytetarëve shqiptarë për vjedhjen e kësaj qeverisë, për vjedhjen e çdo qeverie. Por arsyeja e dytë që ndodhemi këtu sot është që ne do të fillojmë kërkesën e Tomi Frashërit, kryetarit të AKEP, një ushtar i bindur i qeverisë."

Protestës iu bashkua dhe deputeti i PD-së, Belind Këlliçi, i cili tha se do të përçojë zërin e medies së lirë.
"Unë jam i gatshëm që me një përfaqsi tuajën të ulemi të bëjmë maksimumin për t'i dhënë drejtim kësaj çështje dhe për të shkarkuar kryetarin e AKEP i cili në shkelje të ligjit ka censuruar prej 2 vitesh këtë portal kaq të njohur dhe të dashur për çdo shqiptar," tha Këlliçi.
Portali JOQ Albania është mbyllur para dy viteve ndërsa më herët drejtuesit e saj janë shprehur se sulmi ka ardhur për arsye politike.
