Bashkia e Tiranës, shantazhe te “5 Maji”, banorët: Nuk lëshojmë shtëpitë pa kontratë

Bashkia e Tiranës po shantazhon banorët e rrugës “5 Maji” për të liruar banesat e tyre. Denoncimi vjen nga vetë banorët, të cilët deklarojnë se janë kundër shembjes në kuadër të projektit të rindërtimit, pasi nuk kanë arritur asnjë marrëveshje me Bashkinë. Dhe nisur nga kjo ata zotohen se nuk do të dalin nga banesat e tyre pavarësisht presioneve që po u bëhen.

Banorët e rrugës “5 Maji” në Tiranë kanë dalë paraditen e kësaj të enjteje në protestë, ku kundërshtojnë projektin e Bashkisë për rindërtimin, i cili parashikon shembjen e banesave të tyre.

"Nuk kemi asnjë njoftim.Sapo i pamë.Jemi në terr nga institucuionet. Nuk lëshojmë gjë pa kontratë."

Ata thonë se nuk kanë asnjë marrëveshje me Bashkinë, teksa thonë se po shantazhohen nga kjo e fundit.

"Po rrimë me frikën se do vijnë të prishin shtëpinë. Shantazhojnë."

Banorët kërkojnë vetëm zbatim të ligjeve mbi mbrojtjen e pronës private.

"Nuk dal e gjallë nga shtëpia, vetëm e vdekur, pa më gjetur vend."

Banorët e “5 Majit” deklarojnë se në një kohë që të dëmtuarit nga tërmeti do futen në shtëpi të reja, për banorët që u shkatërrohen banesat po krijohet një tjetër dramë sociale.