Rama nuk tërhiqet nga Open Balkan: Nuk e di si mund të jetë vizion rus apo kinez!
Para se të nisej në SHBA për një vizitë 7 ditore, kryeministri Edi Rama, ka mbrojtur edhe një herë Ballkanin e Hapur. Gjatë interpelancës në Parlament, demokrati Tritan Shehu i kërkoi Ramës të tërhiqet nga kjo nisëm, e cila sipas tij mund të sjellë destabilitet në rajon.
Kronika u përgatit nga Rtv Ora
Kryeministri Edi Rama nuk e ka ndërmend të tërhiqet nga Ballkani i Hapur, pavarësisht kundërshtive të demokratëve në Parlament, të cilët e shohin si një objekt të Beogradit për të krijuar Jugosllavinë e re.
Gjatë interpelancës në parlament, deputeti Tritan Shehu nuk arriti ta bindë kreun e qeverisë se nisma e tre lidervë të rajonit, Rama-Vuçiç- Zaev, i shërben Serbisë për të destabilizuar territoret në rajon.
"Dështimi i politikave të ndryshimit të kufijve nxori në plan të parë idenë e krijimit të Jugosllavisë së re. U bëj thirrje të hiqni dorë nga projekte të tilla që e shohin Shqipërinë në Lindje".
"Doni ju apo nuk doni zoti Shehu, duan apo nuk duan ata që mendojnë si ju, Ballkani i Hapur do të vazhdojë sepse është në interes të Shqipërisë dhe shqiptarëve, shqiptarët na e kanë besuar ne PS-së mbrojtjen e interesave të tyre jo ju".
Rama është i bindur Open Ballkan do të bëjë për rajonin atë që procesi i Berlinit nuk e arriti dot.
Ndërsa nënvizon se zhvillimi i Ballkanit nuk do të mbetet peng i disa kryeministrave që mendojnë ndryshe nga ai, apo i kërkesave të aleatëve që kërkojnë përfshirjen e 6 shteteve.
"Ballkani i Hapur është një mekanizëm për të jetësuar procesin e Berlinit dhe përshpejtuar procesin e integrimit. Sesi mund të jetë vizion rus apo kinez vizioni i porcesit të Berlinit nuk e di."
Pas shpjegimit të nismave rajonale, Kryeministri shqiptar të premten do të fluturojë drejt Amerikës, për një vizitë 7 ditore, me ftesë të Hillary Clinton, për të marrë pjesë në darkën falenderuese për strehimin e afganëve.