Kryeministri Rama paralajmëron kufizime për të pavaksinuarit

Kryeministri Edi Rama ka injektuar dozën e tretë anti-Covid. Për të hedhur poshtë teoritë e ndryshme konspirative lidhur me vaksinimin e tij, kreu i qeverisë kërkoi që zgjedhja e dozës që injektoi të ishte e rastësishme. Rama u bëri thirrje qytetarëve të vaksinohen pasi paralajmëroi mundësinë që tu ndalohet hyrja në vendin e punës të gjithë atyre personave që nuk kanë marrë dozat anti-Covid.

Një ditë para se të nisej në SHBA, kryeministri Rama mori dozën e tretët të vaskinës anti-Covid, duke apeluar që të njëjtën gjë të bëjnë edhe qytetarët.

Këtë herë, Kryeministri kërkoi që vaksina të ishte e rastësishme, e zgjedhur nga të pranishmit. Pfizeri ishte edhe doza e tretë për Ramën.

Kjo për të hedhur poshtë spekulimet që kanë shoqëruar vaksinimin e Kryeministrit.

Pas dozës së tretë, Rama u asistua nga Ministrja e Shëndetësisë, e cila ngriti pambukun që i ra nga krahu.

Duke mos pritur 20 minutat që parashikon protokolli i vaskinimit, Kryeministri nuk humbi kohë për të shigjetuar të gjithë ata që janë kundër vaksinimit.

Rama paralajmëroi se Shqipëria, si gjithë vendet e tjera, do të penalizojë të pavaksinuarit, qoftë për hyrjet brenda kufijve, ashtu edhe në administratë e biznese.

Nuk munguan as debatet për Green Pass nga vaksina dhe ajo e imunizimit natyral.

Doza e tretë anti-Covid, tashmë do të aplikohet edhe te të gjithë personat mbi 18 vjeç, që kanë kaluar mbi 6 muaj nga dy fazat e para të vaksnimimit.