Braçe propozon vaksinim me detyrim kudo dhe ngre zërin: Askush nuk zbaton masat, as në Kuvend
Deputeti Erjon Braçe ishte kritik pë fushatën e vaksinimit sepse nuk është bërë aq sa duhet, ndërkohë që Shqipëria vijon të shpenzojë para nga buxheti i shtetit për të blerë vaksina.
Nga foltorja e kuvendit Braçe tërhoqi vëmendjen në radhë të parë deputetëve të cilët janë ata të parët që nuk respektojnë masat.
“Masat në këtë vend nuk zbatohen më duke nisur nga kjo sallë. Sipas rregullave këtu duhet të mbahet maskë. Që parë pashë kryeministrin e disa ministra, nuk bëhen as 5 deputetë bashkë që mbajnë maskë.
Po të dalësh në klubin e parlamentit jo vetëm që nuk kanë maskë, por dikush mendon që tymi i duhanit të mbron nga virusi. Dhe ky është një problem ende më i madh. Dhe kur nuk zbatohen masat e rregullat këtu në sallën e parlamentit as mos të kërkojë kush të zbatohen masat në çdo cep të Shqipërisë. Masat nuk zbatohen asgjëkundi. As në shesh, as në Panair e as në Stadiume"
Braçe propozoi vaksinim të detyruar.
“Doza të mbërritura në Shqipëri 2.2 milionë kemi një stok prej 550 mijë dozash tani që flasim, ndërkohë që virusi qarkullon masivisht tek të pavaksinuarit, ndërkohë që ne vazhdojmë të kemi stok e sot do të miratojmë një marrëveshje për të blerë të tjera vaksina. Po çfarë vlere ka, kur në krahun tjetër nuk po vaksinojmë në ato shifra që duhet”
Na duhet rienergjizim total I procesit të vaksnimit. Po humbim kohë duhet të kushtëzojmë të gjithë aktivitetet me vaksinim.
Vaksinim me detyrim për çdo lloj aktiviteti.
Do të mbash klubin hapur, restorantin hapur? Vaksino punonjësit. Në restorant prit vetëm ata që janë të vaksinuar. Duke nisur nga kjo sallë në çdo zyrë të shtetit e administratës”
Komiteti Teknik i Ekspertëve doli me masa të reja për frenimin e Covid 19 dhe variantit të ri Omikron. Nga 4 janari do të kërkohet karta e vaksinimit.