Shkon në 4 numri i viktimave në Stamboll nga stuhia, mbyllet qarkullimi detar në Bosfor, anulohen fluturimet

Ka shkuar në 4 numri i viktimave nga stuhia që goditi Stambollin  dhe pjesë të tjera të Turqisë këtë të hënë, 29 nëntor.

Një grua vdiq në mënyrë tragjike në lagjen Esenyurt, ku erëra të forta shkatërruan një pjesë të një çatie e cila ra mbi te ndërsa ecte me fëmijën e saj.

Fatmirësisht fëmija arriti të shpëtonte me lëndime të vogla në trup.

Zyra e kryebashkiakut të Stambollit tha se tre persona të tjerë humben jetën nga stuhia, mes të cilëve një shtetas i huaj.

Nëntëmbëdhjetë persona të tjerë u plagosën,  e tre prej tyre janë në gjendje të rëndë për jetën.

Stuhia shkatërroi kullën e një sahati, çatitë e 33 objekteve e mori përpara makina e pemë.

Bosfori, rruga e ngushtë ujore që ndan qytetin, u mbyll për trafikun detar dhe shërbimet e trageteve u anuluan për shkak të detit tejet të trazuar.

Të paktën gjashtë fluturime të Turkish Airlines të planifikuara për t'u ulur në Stamboll u devijuan në qytetet e tjera si në Ankara dhe Izmir, tha një zëdhënës i linjës ajrore.

Autoritetet meteorologjike parashikojnë një të martë të pushtuar nga shirat dhe stuhitë në Turqi , ndërsa zyrtaret lokale u kanë bërë thirrje qytetarëve të evitojnë daljet e pa nevojshme nga shtëpia.