Opozita e festoi dje/ Mazhoranca përkujton Ditën e Çlirimit, Ramën e nderojnë me grusht...çfarë nuk patë në ceremoninë zyrtare

Ashtu si edhe në çdo vit, edhe në 77-vjetorin e Çlirimit të parët që mbërritën për të bërë nderime në Memorialin Nënë Shqipëri ishin ithtarët e ish-diktatorit Enver Hoxha.

Edhe pse protokolli u kujdes që nderimet të nisnin me Krerët e Shtetit, vendosën që shfaqjen ta realizonin pak metër më larg duke shpalosur dhe pankartat.

Presidenti Ilir Meta dhe kryeministri Edi Rama ashtu si në ditën e Pavarësisë në Vlorë, mbërritën thuajse në të njëjtën kohë, por dukshëm me një paraqitje të ftohtë duke reflektuar krizën politike.

Në homazhe qëndruan ashtu si dhe e parashikon protokolli i shtetit, e në përfundim Kreu i Shtetit vendosi ti kthente kurrizin Kryeministrit duke biseduar në pak çaste me kryetaren e parlamentit Lindita Nikolla.

Urimin Kryeministri e ka dhënë në facebook duke deklaruar hapjen e Rrugës së Arbrit, ndërsa Kreu i Shtetit pak minuta pas ceremonisë duke postuar këngë partizane.

Ashtu si dhe është bërë traditë e djathta ka vendosur të mos e njohë datën 29 nëntor si ditën e Çlirimit, duke i bërë nderimet në datën 28.