Komunistët e Shkodrës mbrojnë deputetin e Lushnjes: Nuk ka ligj që ndalon foton e Enverit, kur ta bëjë Alibeaj, nipi i kryeballistit...

Debati për përdorimin e simboleve të komunizmit në përkujtimin e Festës së Çlirimit u zhvendos këtë të hënë në Shkodër.

Kreu Partisë Komuniste të Shkodrës, duke komentuar incidentin me deputetin e Lushnjes Bujar Çela, thotë se nuk ka asnjë ligj që ndalon përdorimin e fotos së Enverit dhe simbolet e Partisë së Punës.

"Këto simbolike janë prezente sepse Partia Komuniste e Shqipërisë është një nga partitë që bën pjesë në spektrin e partive të Shqipërisë me ligj. Ne kemi të drejtën ligjore të konkurrojmë në zgjedhje, të bëjmë propagandë. Sa i përket fotografisë së Enver Hoxhës, Enver Hoxha e ka zënë vendin në histori dhe nuk ka burrë ta shkundë. Pa Enver Hoxhën si udhëheqës i popullit shqiptar, pa Partinë Komuniste nuk do të kishte as LANÇ dhe pa Luftë Nacional Çlirimtare nuk do të kishte sot Shqipëri por do të ishte e copëtuar midis Greqisë, Jugosllavisë dhe vendeve të tjera.

Nuk ka asnjë ligj që ndalon  fotografitë e Enverit dhe simbolet e Partisë Komuniste. Kur ta bëjë Alibeaj i parlamentit, nipi i kryeballistit të Mallakastrës, kur ta bëjë ligjin në Parlament ne do të respektojmë ligjin. Enver Hoxha nuk është diktator, ai nuk vrau shqiptarët por raksionarët. Enver Hoxha është diktator i diktaturës së Proletariatit , shteti jonë nga 1944 në 1990 ka qenë shtet diktaturës së Proletariatit, diktaturë në emër të shumicës. Klerikët dhe intelektualët i vrau se u bënë agjenturë e Romës, e italianëve, e fashistëve, e serbë, malazezëve dhe dreqit. Këto nuk janë krime, bota i ka dënuar kolobracionistët, i ka futur në burg, i ka pushkatuar. 12 mijë veta  i ka pushkatuar presidenti De Gol në Francë për bashkëpunim me gjermanët".