SPAK "ngre duart", drejtori Kraja: Mos na përfshini në vettingun në politikë!
Kreu i SPAK, Arben Kraja, ka kërkuar që institucioni që ai drejton të mos ngatërrohet me vettingun në politikë.
Partia Demokratike e kishte përcaktuar si mekanizimin që do kryente këtë proces, por Kraja thotë se një nismë e tillë vetëm sa e shfokuson nga puna këtë institucion i cili tashmë sipas tij e ka precedentin me OFL.
Në gjykimin e Krajës, propozimi i PD-së krijon hapësira për vlerësim të njëanshëm ose pasaktësi.
Kraja: Jemi pro çdo iniciative që lufton kurrupsionin, por jo luftë në një strukturë të vetme, gjithë shoqëria duhet ta luftojë këtë problematikë. Është një procedurë administrative që përfshin rreth 200 subjekte, që do kohën e saj dhe në këto kusht duhet ta vlerësojmë në vijimësi. Detyrat e tjera nuk duhet të bllokojnë thelbin e punës së prokurorisë. Propozimet e PD parashikojnë krijimin e një strukture në SPAK që do ti shtojë një volum pune prokurorisë së posaçme.
Ne kemi kaluar një eksperiencë negative në vitin e parë të punës sonë për të ashtuquajturën OFL, një detyrë e ngarkuar me ligj që na shfokusoi nga objekti i punës, kështu që unë do e konsideroja të papërshtatshme përfshirjen e SPAK në këtë çështje. Kjo mënyrë e propozuar nga PD, mund të krijohen probleme për njëashmëri apo vlerësim të pasaktë. Krijon problematika në objektivitetin e një vendimarrje.
Por kjo deklaratë nuk u prit mirë nga opozita.Deputeti i Partisë Demokratike Gazment Bardhi tha se priste një përgjigje tjetër pasi ky është një institucion që po lufton korrupsionin.
Bardhi: Prisja tjetër përgjigje nga drejtuesi i prokurorisë së Posaçme që të mos përfshihet SPAK, duke qenë se përfaqëson një insitucion që lufton korrupsionin. Konfirmuat që e latë luftën ndaj korrupsionit dhe u përqëndruat te ajo që ju dha ministri i Brendshëm, suksesi i madh te OFL, duke sekuestruar 3 makina.
Deklaratat u bënë në mbledhjen e përbashkët të Këshillit për Legjislacionin dhe Komisionit për Çështjet Ligjore në Kuvend.