KPA konfirmon gjyqtarin e gjykatës së Apelit, Sokol Ngresi

Komisioni i Posaçëm i Apelimit konfirmoi në detyrë gjyqtarin e Apelit në Vlorë, Sokol Ngresin. Vendimi është marë mesditën e së mërkurës, kur trupa e Kolegjit, e kryesuar nga Albana Shtylla, me relatore Ina Ramën dhe anëtarë Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz dhe Sokol Çomo, tha se kishte rrëzuar kërkesat e Komisionerit Publik për shkarkimin e Ngresit.

Gjatë dhënies së vendimit, kryesuesja Shtylla, përmendi disa pasaktësi dhe mungesat e burimeve në shumat minus 116 mijë lekë në një vit dhe minus 362 mijë lekë në një rast tjetër, shuma këto që nuk përbënin shkak dhe s’gjenin mbështetje, për të shkarkuar ngjyqtarin Sokol Ngresi.

Me këtë vendim tashmë gjyqtarit të Apelit Vlorë, i hapet rruga për të shkuar si anëtar i Gjykatës së Lartë.

Ky proces verifikimi ndaj subjektit Ngresi, sipas gjykimit të Komisionit të Posaçëm të Apelimit, nxori në dritë një komplot falsifikimi të kontratave të blerjes së një apartamenti në zonën e “Lungo mares” në Vlorë.

Këto kontrata që kishin të bënin me porositjen e një apartamenti dhe më pas revokimin e blerjes së tij nga gjyqtari Ngresi, u çuan në KPA nga biznesmeni Flamur Kadëna, i cili pretendonte se gjyqtari nuk kishte deklaruar apartamentin.

Mirëpo pas ekspertizës grafike të firmave të kryer nga dy ekspertët, rezultoi se firmat që ishin hedhur në revokimin e kontratës së porositjes së apartamentit në Vlorë, nuk i përkisnin Sokol Ngresit por një personi tjetër ende i paidentifikuar.

Nisur nga kjo situatë, KPA-ja, vendosi të bëjë kallëzim penal ndaj biznesmenit Flamur Kadëna për akuzën e “Falsifikimit të dokumentave”.

Por një kallëzim të tillë ka bërë dhe Flamur Kadëna në prokurorinë e Vlorës, ku pritet që dy kallëzimet të bashkohen në një të vetëm.

Ndërsa një tjetër kallëzim është depozituar në prokurorinë e posaçme SPAK, kundër Sokol Ngresit dhe dy ekspertëve kriminalistikë që përpiluan ekspertizën grafike të firmës së tij, ekspertizë kjo që favorizoi gjyqtarin në gjykimin e tij në KPA.