Fëmijët "viktima" të rrjeteve sociale, Kushi: Përgjegjësia e të gjithëve, prindërit mos neglizhojnë
Rasti i një fëmijë në Lushnje që dyshohet se vdiq duke realizuar një video për Tik Tok, ka ngritur edhe një herë shqetësimin për rreziqet e aksesit të pakufizuar të fëmijëve në rrjetet sociale. Nga Elbasani, ministrja e Arsimit fajësoi orët gjata dhe të pakontrolluara të fëmijëve në rrjet. Ndërsa specialistët e mbrojtjes së fëmijëve, flasin për një rritje të ngacmimeve seksuale dhe kërcënimeve mes të fëmijëve online.
Ngjarja tragjike në Lushnje, ku një 13 vjeçar humbi jetën duke bërë një sfidë për rrjetin TikTok, riktheu edhe një herë alarmin për rreziqet e aksesit të pakufizuar në Internet.
Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, thotë se përtej institucioneve, përgjegjësia kryesore sipas saj mbetet tek prindërit të cilët shpesh neglizhojnë kontrollin e tyre kur lundrojnë në internet.
"Jemi dëshmitarë të rasteve kur prindërit i lejojnë fëmijët që të rrinë me orë të gjata dhe as nuk i kontrollojnë se çfarë informacionesh marrin, ku aksesojnë," tha Kushi.
Në harkun e këtij viti janë disa raste të fëmijëve të abuzuar dhe dy nxënës kanë humbur jetën duke realizuar video për në rrjetet sociale.
Ministrja tha se ka iniciuar një diskutim të gjerë për të marrë mendime se cilat janë rrugët e duhura për kontrollin e fëmijëve para riskut kibernetik.
"Unë kam bërë një ftesë publike që të hapim një debat të gjerë, çfarë duhet të bëjë gjithsecili, çfarë përgjegjësish duhet të marrë gjithsecili," tha Kushi.
Pandemia rriti aksesin e fëmijëve në internet dhe një pjesë duket qartë se janë të pakontrolluar.
Ekspertët e njësisë për mbrojtjen e fëmijëve në Lushnje, thonë se gjatë kësaj kohe kanë shënuar rritje ngacmimet seksuale dhe kërcënimet në rrjetet sociale.
Por kur rastet zbulohen, shumë familje e refuzojnë mbështetjen.
"Të rritë vigjilencën dhe të bisedojë me fëmijën e vet. Pas prindit është mësuesi ai që ka kontaktin më të gjatë me fëmijët."
Vitet e fundit është dhënë disa herë alarmi për lojëra të rrezikshme që qarkullojnë online, ndërsa kanë si target grup fëmijët dhe adoleshentët.
