ISUV mbyt banorët me tymin toksik, drejtori ‘fajëson’ demokracinë dhe urdhëron te nxirret jashtë gazetarja e RTV Ora

"Po mbytemi nga tymi, ju lutem na ndihmoni."

 Këto  ishin  disa nga telefonatat  që  mbërritën në redaksinë e RTV  Ora  nga banorët që jetojnë pranë Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë. Re të mëdha tymi që dilnin nga ISUV kishin depërtuar në shtëpitë e banorëve të cilët kanë lajmëruar menjëherë policinë .

Gazetarja  e RTV Ora së bashku me punonjësit e policisë u futën brenda ambienteve të ISUV për të kuptuar se çfarë po ndodhte.

Gazetarja: Shiko ku po digjet atje.

Gazetarja: Është e tmerrshme, është e tmerrshme! U mbytëm nga era.

Punonjësi i policisë: Çfarë po bëni?

Punonjësit: Po djegim mbetjet.

Gazetarja: Çfarë mbetjesh janë këto?

Punonjësi: Të institutit.

Gazetarja: Janë ankuar banorët se po mbyten nga era.

Punonjësi: E pamë, shiko si jemi bërë, me ujë me qamet e me të gjitha po ka shumë lloj mbetjesh, ka plastika, ka gjëra.  

Instituti qe pretendohet se garanton sigurinë ushqimore  mbush  mushkëritë e banoreve me ajër toksik i cili shkaktohet nga djegia e plastikës dhe mbetjeve të  analizave   laboratorike.  Për drejtorin e këtij institucioni  problemi nuk qëndron te Institucioni,  por te pallatet që janë ndërtuar  në kohen e demokracisë.  

Drejtori ISUV: Ky është institucion i ngritur në vitin 1969 larg qendrave të banuara. Se janë bërë pallate në demokraci nuk është faji i institucionit.

Shëndeti i qytetareve  është  problemi më i vogël në këtë rast  kurse problemi më i madh është prania e RTV Ora prandaj Drejtori urdhëron të nxirret jashtë gazetarja.

Drejtori ISUV: Fute në xhep atë telefon, fute në xhep, fute në xhep.

Drejtori ISUV: Fute në xhep, është hera e dytë që po të them. Këta e kanë detyrë funksionale Policia e Shtetit, kurse ju dilni përjashta. Dilni përjashta!

Me urdhër të  drejtuesit të Institucionit gazetarja e RTV Ora doli jashtë  ambienteve,  por  problematika e pa zgjidhur është akoma brenda Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë.

Qindra qytetareve, përfshirë këtu edhe fëmijë të vegjël i rrezikohet shëndeti sa here që ISUV djeg mbetje pasi ata janë të detyruar të thithin tymin toksik që pushton të gjithë zonën.