"1000 euro secili"/ Me 57 emigrantë të paligjshëm në kamion, 2 të arrestuar në Korçë, 1 në kërkim
Policia e Korçës ka arrestuar 2 persona dhe ka shpallur nëj tjetër në kërkim pasi u kapën duke transportuar emigrantë të paligjshëm.
Në kuadër të operacionit policor të koduar "Perimetri" u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve M. L., 36 vjeç; E. D., 28 vjeç, banues në Korçë dhe u shpall në kërkim shtetasi A. O., 38 vjeç, banues në Tiranë.
Shërbimet e policisë, në dalje të qytetit të Pogradecit, kanë kapur mjetin kamion tip "Iveco", në pronësi të shtetasit A. O., me drejtues shtetasin M. L., brenda të cilit u konstatuan 57 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit prej 1000 euro secilit, iu ishte premtuar kalimi drejt vendeve të BE-së.
Nga veprimet e mëtejshme hetimore rezulton se, bashkëpunëtor në këtë veprimtari kriminale ishte edhe shtetasi E. D., i cili kryente kontrollin e rrugës, me mjetin tip "Benz".
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprën penale "Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve", kryer në bashkëpunim.
