Pastrimi i parave, vetting noterëve, Shqipëria “nën monitorim të shtuar” pas futjes në listën gri  

 

Përfshirja e Shqipërisë në listën gri të pastrimit të parave prej shkurtit të vitit 2020 ka detyruar qeverinë të reagojë fort përmes një ligji për Vettingun e noterëve. Drafti ligjor që parashikon Vettingun e shërbimit të noterisë, përfshirë kontrollet e shtuara dhe heqjen e licencave, është depozituar tashmë në kuvendin e Shqipërisë. Dokumenti parashikon vendosjen e kritereve të forta edhe për pranimin e profesionistëve të rinj në këtë shërbim.

Ministria e drejtësisë ka zyrtarizuar procesin e Vettingut tek noterët përmes projektligjit të propozuar në Kuvend, ku parashikohet shtimi i rasteve e heqjes së licencës me qëllim parandalimin e kryerjes së veprimeve të jashtëligjshme me fokus të veçantë pastrimin e parave.

Në relacionin bashkëngjitur ministria shpjegon se ky projektligj është në përputhje edhe me angazhimin politik për të punuar me Grupin e Posaçëm të Veprimit Financiar dhe MONEYVAL që Shqipëria ka ndërmarrë, në kuadër të planit ICRG/FTAF ku parashikohen rezultate imediate.

Në vitin 2015, Shqipëria do të dilte nga lista gri e vendeve që monitorohen nga Task Forca për Veprim Financiar.

Kjo u trumbetua si arritje e jashtëzakonshme e atyre kohëve, por nuk vonoi shumë dhe në 21 shkurt 2020, vendi ynë i përfshi sërish në këtë listë për shkak të “dobësive strategjike”, që janë gjetur në regjimet e parandalimit të pastrimit të parave.

Futja në këtë listë ka ndikime direkte penalizuese te sektori bankar, të cilit i rriten kostot e transfertave, por edhe për tregtinë në marrëdhëniet import-eksport. Qeveria nga ana tjetër mund të hasë vështirësi në sigurimin e huamarrjes në tregun e jashtëm.

Në raportet e tyre institucionet ndërkombëtare kanë bërë thirrje ndaj autoriteteve shqiptare që të shtojnë përpjekjet në ndjekjen e pastruesve të parave dhe konfiskimin e aseteve të tyre, të lidhura me aktivitete që gjenerojnë të ardhura të konsiderueshme dhe në trajtimin e rreziqeve terroriste të financimit të lidhura me to.

Po ashtu është vënë dukje lidhja mes korrupsionit dhe organizatave kriminale për pastrimin e parave, ndërkohë që u tërhiqet vëmendja autoriteteve që ata nuk po marrin masat e duhura për të luftuar këtë fenomen.

Ligji aktual për noterinë nuk ka parashikime, të cilat rregullojnë sjelljen e noterëve jashtë ushtrimit të profesionit, ndaj qeveria thekson se ka parashikuar shtimin e një kriteri të ri që lidhet me përfshirjen e subjekteve në listën e personave të shpallur sipas legjislacionit në fuqi për masat kundër financimit të terrorizmit, si kusht për hyrjen në profesion dhe si shkak për heqjen e licencës.