Specialistja e Fondit Etnografik Vilma Nallbani: Jeleku i Edit Durham në muzeun e Londrës
Tirana, tradita dhe kultura e saj u diskutuan në emisionin “Jeto me Orën” RTV Ora. Të ftuarit personalitete të ndryshme në fushën e muzikës, kërcimit, sportit, kuzhinës dhe kostumografisë së zonës së Tiranës, folën për vlerat e kryeqytetit në fusha te ndryshme.
Specialistja në Fondin Etnografik Vilma Nallbani solli në studio një panoramë të veshjes tradicionale të zonës së Tiranës me të gjitha elementet, karakteristikat dhe pjesët përbërëse të saj. Nallbani thekësoi se më parë familjet e pasura të kryeqytetit e bënin kostumin me porosi të qëndisur me fije ari. Ajo u ndal tek vlerat që kanë kostumet tradicionale. Jeleku i veshjes tradicionale i të Tiranës gjendet edhe në Muzeun e Londrës, ku i është dhuruar studiueses Edit Durham gjatë një vizite në Shqipëri" u shpreh Nallbani.
Ndërsa, stilistja Edlira Sula u shpreh se zona e Tiranës ka një shumëllojshmëri veshjes të cilat ngjasojnë me veshjet mbretërore. Sipas saj njerëzit po ndërgjegjësohen dhe po i përdorin në shumë raste dasmash dhe madje edhe në formë dhuratash. Atmosfera e studios " Jeto me orën" u ndez nga tingujt e firzamonikës të mjeshtrit, këngëtarit të njohur Rik Buneci i cili performoi live.
Rik Buneci, u shpreh se këngët e e vjetra mbahen mend dhe duhen shumë sepse janë bërë me shpirt”. Një emision emocione dhuruan edhe valltaret e "Siluette dance" të cilët kërcyen vallet e Tiranës. Koreografia Arlin Zhugri, tha se kohët e fundit është vënë re që brezi i ri e do vallen e traditës. “Ajo që më pëlqen është se brezi i ri e duan vallen, kjo e Tiranës është shumë lozonjare si valle. Vetë vallja e Tiranës është shumë e vjetër sa vetë qyteti i Tiranës.
Këtë valle nuk mund ta performosh vetë, pasi të vjen natyrshëm në bazë të muzikës dhe lëvizja” tha Zhugri. Ndërkohë në fushën e sportit i ftuar ishte ish futbollisti dhe njëherazi ish-trajneri i skuadrës së Tiranës Alban Tafaj, i cili tregoi një nga përjetimet më të bukura kur ai drejtoi ekipin e Tiranës në vitin 2009. " Tirana ka dal kampion, në vitin kur unë drejtoja , gjë e cila për mua edhe sot kur e kujtoj më emocionon shumë, fituam me Vllazninë" u shpreh ai. Në fund të emisionit u fol për kuzhinën, pjatat tradicionale të Tiranës.
Sipërmarrësja Dhurata Thanasi dhe kuzhinieri Bledar Kola u ndalën tek disa receta tradicionale të zonës. Kuzhinieri Koka tha se fërgesa është ajo që turistët kërkojnë më shumë. Ndërsa sipërmarrësja Dhurata Thanasi u shpreh se ka devijime të recetave tradicionale nga kuzhinerët e rinj, në përgjithësi ajo tha se shefat e rinj nuk e njohin traditën shumë mirë.

