"Dimër i vështirë për të pavaksinuarit", Europa Perëndimore përballet me valën e re të pandemisë së koronavirusit

Austria ka paralajmëruar qytetarët e vet të pavaksinuar se i pret një fundvit plot kufizime krahasuar me personat e mbrojtur kundër Covid-19. Në Holandë janë vaksinuar plotësisht 85 për qind e popullatës por këtë fundjavë do të bëhet shteti i parë perëndimor që do të izolohet pjesërisht prej valës së re të pandemisë.

Europa Perëndimore po bëhet gati të rivendosë kufizimet në lëvizje, pasi po merr vrull vala e katërt e pandemisë.

Holanda do të bëhet të shtunën vendi i parë që do të aplikojë izolim të pjesshëm për tri javë, me mbyllje të bareve, restoranteve dhe dyqaneve jo kryesore nga ora 7 e mbrëmjes.

Shkollat, teatrot dhe kinematë do të mbeten hapur por qytetarëve u është kërkuar të punojnë nga shtëpia dhe nuk do të marrin pjesë në eventet sportive.

Një tjetër vend që po mendon masat strikte është Austria, për shkak të numrit rekord të infektimeve ditore.

Kancelari austriak, Aleksandër Shalenberg, qortoi 35 për qind të qytetarëve të cilët ende refuzojnë të vaksinohen kundër koronavirusit.

"Është e turpshme që vaksinimi është kaq i ulët. Është po ashtu e qartë se të pavaksinuarit nuk kanë për ta shijuar dimrin dhe Krishtlindjet e sivjetme," tha Shalenberg.

Situata paraqitet aq dramatike sa drejtuesi i Austrisë së Sipërme po planifikon izolimin e të pavaksinuarve duke nisur nga dita e hënë.

Austria raportoi mbi 11 mijë raste të reja, ndërsa incidenca në Gjermaninë fqinje u rrit sërish të premten, me 48 mijë raste pozitive me kovid dhe 191 viktima.

Olaf Sholc, ministri gjerman i Ekonomisë dhe pretendenti për kancelarinë, tha se përpjekjet duhet të përqendrohen te bindja e sa më shumë njerëzve për t'u vaksinuar kundër Covid-19.