Ka ndryshime në listën e Shpresave sërish. Dëmtohet sulmuesi i Partizanit
Pasi humbi Ernest Muçin per shkak të kalimit me kombëtaren A, tani Alban Bushi humbet edhe sulmuesin tjetër, Tedi Cara. Siç njofton FSHF, lista e lojtarëve të ekipit U21 të Shqipërisë ka pësuar ndryshime.
“Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se futbollisti Tedi Cara ka pasur probleme fizike dhe me të ardhur në grumbullim i është nënshtruar ekzaminimeve përkatëse. Pas konsultave me stafin mjekësor të Kombëtares U-21 u konkludua se Cara nuk mund të rikuperohet për këto dy ndeshje.
Kësisoj, stafi teknik vendosi që sulmuesi të largohet nga grumbullimi dhe në vend të tij është thirrur futbollisti Arinaldo Rrapaj i Partizanit.
Shqipëria U-21 do të luajë dy ndeshjet e radhës të Europianit në transfertë, fillimisht ndaj Sllovenisë më 12 nëntor ndërsa katër ditë më vonë do të luajnë kundër Kosovës”, thuhet ne njoftim.
Nndërkohë nën drejtimin e trajnerit Alban Bushi, ekipi U21, po vijojnë normalisht grumbullimin dhe stërvitjet në vigjilje të dy transfertave me Sloveninë dhe Kosovën./Ora News/.
