Foto/ Shkumë toksike mbi lumin e shenjtë

Lumi i shenjtë Yamuna është tashmë një nga rrugët ujore më të ndotura në vend, por pjesë të lumit, që rrjedh nëpër qendrën e Delhit, ishin të veshura me shkumë të bardhë që i ngjante reshjeve të borës. Ndotja prishi edhe furnizimin me ujë në një pjesë të qytetit, sipas zyrtarëve lokalë.
"Unë do të doja të falënderoja banorët e prekur për bashkëpunimin e tyre," tha në një deklaratë të dielën Raghav Chadha, nënkryetar i autoritetit të ujit të qytetit.
"Ekipi ynë i oficerëve dhe inxhinierëve po punon ditë e natë për të siguruar që problemet e ujit të banorëve të Delhi të qëndrojnë në minimum."

Zyrtarët indianë janë zotuar prej kohësh të pastrojnë Yamuna-n, por pa sukses, dhe lulëzimi i shkumës toksike është bërë një dukuri vjetore. Një raport i qeverisë i vitit 2020 zbuloi se cilësia e ujit në lumë ishte bërë " më keq" gjatë pesë viteve të fundit.

Kjo dukuri nuk i pengoi disa adhurues hindu që të zhyten në lumë për të shënuar Chhath Puja, një festival katër-ditor për t'i ofruar lutje diellit. Ndërkohë, Delhi dhe rrethinat e tij janë përfshirë gjithashtu nga smogu i dendur dhe i rrezikshëm që nga java e kaluar.

Mjegullnaja është shtuar nga zjarret bujqësore në komunitetet aty pranë dhe një breshëri fishekzjarresh të hedhura nga banorët e kryeqytetit për të shënuar Diali. Nivelet e grimcave të dëmshme PM 2.5 kanë kaluar në 400 në disa zona, që është 16 herë më e lartë se kufiri ditor i sigurt i vendosur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë./Ora News/


