Video/ Polonia bllokon qindra emigrantë në kufirin me Bjellorusinë

Polonia ka njoftuar se ka zmbrapsur përpjekjet e emigrantëve për të hyrë në vend në kufirin e saj lindor me Bjellorusinë, duke paralajmëruar se mijëra të tjerë ishin rrugës.

Pamjet nga video tregojnë qindra njerëz pranë një gardhi kufitar me tela me gjemba, të cilët disa u përpoqën t'i kalonin me forcë.

Qeveria polake njoftoi  një takim krize të hënën ( 8 nëntor), duke vendosur  12,000 trupa në rajon. Polonia ka akuzuar Bjellorusinë për shtyrjen e emigrantëve drejt kufirit, duke e përshkruar atë si aktivitet armiqësor.

Prej muajsh, mijëra emigrantë nga Lindja e Mesme, Azia Jugore dhe Afrika tentojnë të hyjnë ilegalisht në vendet e BE-së, si Polonia, Letonia dhe Lituania, duke e parë Bjellorusinë si trampolinë. \Bashkimi Europian ka akuzuar presidentin Aleksandër Lukashenko se po i sjell emigrantët me avion dhe po i drejton në kufijtë europianë në shenjë hakmarrjeje ndaj sanksioneve që Brukseli i ka vënë për shkak të shtypjes më shumë se njëvjeçare të opozitës politike, medieve dhe shoqërisë civile.

Ministria polake e Mbrojtjes ka njoftuar se mbi 12 mijë ushtarë po qëndrojnë në gatishmëri në kufi me Bjellorusinë.

Mburoja e vendit (gardhi kufitar) është përforcuar me policë dhe ushtarë të përgatitur për çdo skenar deri sa të ndërtohet muri lindor me gjemba me vlerë 400 milionë dollarë.

Autoriteti kufitar i Bjellorusisë tha se  situatën me refugjatët e ka provokuar vetë Polonia me qëndrimet çnjerëzore./ORA News/