Dëmshpërblim për viktimat e klerit, raporti zbuloi rreth 330 mijë të abuzuar seksualisht
Raporti për abuzimet në Kishën Katolike franceze vazhdon të jehojë dhe krijojë pakënaqësi për klerin, që tani po i kërkon edhe Papa Françeskut t'i vijë në ndihmë. Në fund të konferencës disaditore, peshkopët e Francës kanë miratuar ngritjen e një komisioni të pavarur për të parë mundësitë e dëmshpërblimit të viktimave.
Klerikët francezë kanë pranuar që të shesin pasuritë e paluajtshme të Kishës Katolike për të kompensuar viktimat të abuzimit seksual nga kolegët e tyre.
Një raport 2500 faqësh zbuloi muajin e kaluar se janë rreth 330 mijë persona gjithsej që pretendojnë të jenë abuzuar në 70 vitet e fundit, që nga 1950-ta.
"Këtë të keqe të kryer, të keqen ekzistuese, të vuajtur, duhet ta marrim ne përsipër. Kështu do i lehtësojmë ata që vuajnë dhe do çlirojmë edhe Kishën që të jetë Kisha e Jezuit të Nazaretit."
120 peshkopë francezë përmbyllën të hënën disa ditë sqarime se si t'i përgjigjen fenomenit të abuzimit me fëmijët, që kleri e ka mbajtur fshehur.
"Bashkë vendosëm të pyesim Papën, meqë ai na emëron, që të na ndihmojë me një të besuarin e tij për të parë, me ne, se si i kemi trajtuar dhe po i trajtojmë viktimat dhe agresorët e tyre," tha kreu i konferencës peshkopale të Francës.
Kisha Katolike franceze e ka pranuar përgjegjësinë institucionale për abuzimet, por shoqatat e viktimave thonë se nuk u mjaftojnë fjalët dhe kërkojnë dëmshpërblime që mund të arrijnë dhjetëra milionë dollarë.
Pretendimet për dëmshpërblime do të verifikohen nga një komision i ri që do e udhëheqë një nëpunëse civile dhe eksperte për mirëqenien e fëmijëve.