Dy muaj nga nisja e vitit të ri shkollor, Italia vendos të forcojë masat anti Covid
Ministria Italiane e Arsimit ka firmosur normativën e re si rrjedhë e shtimit të rasteve pozitive në personelin arsimor e në nxënësit e të gjitha cikleve.
Prej ditës së sotme do të mjaftojnë 3 raste pozitive në një klasë që të gjithë nxënësit të futen në regjim karantinimi 10 ditor.
Do të jetë në kompetencë të drejtorisë së shkollës të pezullojnë mësimin në rast se autoritetet shëndetësore territoriale do ta kenë të pamundur ndërhyrjen e menjëhershëm të bllokimit të vatrës së infektimit.
Në rast se në një klasë verifikohen dy raste pozitive, do të bëjnë regjim karantinimi të gjithë nxënësit që nuk janë vaksinuar apo nuk kanë kaluar virusin në 6 muajt e fundit, e të vaksinuarit apo të infektuar më parë, do të jenë nën mbikëqyrje me teste.
Ndërsa në rast se verifikohet vetëm 1 nxënës i infektuar në një klasë, të gjithë nxënësit e tjerë do të kryejnë testimin e menjëhershëm e në rast rezultati negativ do të rikthehen në klasë e pas 5 ditëve të tjera do t'ju nënshtrohen një testimi të dytë.
Vetëm në rajonin Friuli Venezia Giulia, i cili regjistron koeficientin më të lartë të infektimit, janë regjistruar rreth 1000 persona nxënës e mësues në regjim karantimi e vetëm gjatë javës së fundit të muajit tetor, janë shënuar 154 raste pozitive në sistemin shkollor të këtij territori.
Pediatrët italianë informojnë për rritje të numrit të fëmijëve e adoleshentëve të infektuar nga koronavirus gjatë stinës së vjeshtës.
Në raportin e fundit javor të Institutit të Shëndetit publik italian, i monitoruar deri më 5 nëntor, 24% e personave të infektuar janë nën moshën 20 vjeçe. Në çdo 4 persona të infektuar në Itali, 1 prej tyre është nën moshën 20 vjeçe.
Autoritetet italiane kanë informuar se brenda muajit dhjetor do të nisin vaksinimin për fëmijët nga 5 deri në 11 vjeçe e janë në pritje të autorizimit të kompanisë Pfizer Biontech për këtë grupmoshë.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë janë ende 1.264.094 të rinj italianë nga 12 vjeç deri në 19 vjeçe të pavaksinuar e baraz me 27.3% të numrit të përgjithshëm të tyre.

