Vasili deklaron votën kundër borxhit për OSHEE: Mazhoranca paguan 200 mln euro për hajdutët që kanë vjedhur sa janë shqepur
Nënkryetari i LSI dhe deputeti Petrit Vasili deklaroi votën kundër aktit normativ për ndryshime në buxhetin 2021 që i mundëson qeverisë të mbështesë OSHEE me 200 mln euro në formën e garancisë sovrane për të vijuar furnizimin me energji të qytetarëve.
Nga foltorja e Kuvendit, ai tha se gjithë kriza energjitike u stis nga Rama për të justifikuar borxhin për OSHEE ndërsa nga ana tjetër nuk nxirret as një përgjegjësi për keqmenaxhimin e kësaj kompanie si me shpenzimet ashtu dhe me borxhet e pambledhura.
Vasili: Një ditë para se të shpallte kataklizmën e krizës energjitike në Abu Dabi, Edi Rama shpalli se Shqipëria do bëhet shpejt eksportuese e energjisë. Me 15 prill ky kryeministër tha se nuk do harxhojmë më asnjë lek por do shesim, nuk është një ëndërr e parë në gjumë. Nëse kryeministrit nuk i shkon metri i vështrimit më shumë se 2, 3, 4 muaj kjo është qeveri e vdekur pastaj. Në 9 tetor u shpall plani për të marrë 200 mln euro, të gjithë e kuptuan që gjithë kjo bubullitje për krizë ishte për të justifikuar 200 mln euro për OSHEE. Po çfarë ndodh me OSHEE, ta dinë shqiptarët, ata që nuk marrin dot rrogë. Në 2017 OSHEE shpenzonte 30 milion dollarë paga, në 2018 50 milion dollarë paga.
20 milion dollarë rritet fondi i pagave, pse, janë mirë, kanë para? Çfarë është ky gëzim që ndajnë para? Të tjerëve nuk u rriten pagat dhe pensionet, fare. 600 mln euro investime gjoja për transformatorë, e dimë gjendjen, digjen përditë. Këtu tymi i korrupsionit dhe batërdisë vazhdon drejt, ndërsa jemi në krizë apokaliptike sipas tyre. Sapo kriza ishte shpallur transaksionet e OSHEE vazhdonin. Si nuk doli dikush të thotë: Ok, do i kërkojmë këto 200 mln euro për OSHEE, por ky keqmenaxhim i tmerrshëm që krijon këtë krizë ku do të na çojë?
Dhe meqë do marrin 200 mln euro, 203 mln euro janë borxhet e papaguara të Ndërmarrjes Ujësjellës Kanalizme të Republikës. Kush e mban përgjegjësinë për këtë? Është shpartalluar administrimi i OSHEE dhe KESH, është fakt. Ne jemi shumë të lumtur që shtojmë buxhetin me borxhe. Lumturohemi se marrim borxh. Ata vazhdojnë të lumtur, marrin dhe këto para dhe i bëjnë rrush e kumbulla dhe të vijnë pas 6 muajsh të shpikin krizën e radhës për të kërkuar paratë e radhës. Fakti është ky, në më pak se 6 vjet, 2.3 miliard euro janë borxh.
Kjo bëhet se nuk funksionon drejtësia e re. Por të ishte drejtësi e vërtetë, do shikonte këtë seancë dhe realitetin, do shikonte si një parlament dhe mazhorancë paguan 200 mln euro për hajdutët që kanë vjedhur deri tani sa janë shqepur. E them publikisht se vota ime do jetë kundër këtij akti.

